Bota

OKB: “Rritet numri i dëshmive për krime lufte nga rusët në Ukrainë!”

Kombet e Bashkuara deklarojnë se “veprimet ruse në Ukrainë, përfshirë ekzekutimin e civilëve, po shtojnë krimet e luftës”. Ravina Shamdasani, zëdhënëse e Zyrës së Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (UNHCR).

Forcat e armatosura ruse po bombardojnë zonat e populluara, pa dallim, duke vrarë civilë dhe shkatërruar spitale, shkolla e çdo infrastrukturë tjetër civile, veprime që mund të përbëjnë krime të luftës!

Në qytetin e Buçës, pranë Kievit, misioni i UNHCR-së ka dokumentuar vrasjen e mbi 50 civilëve. Varreza masive e qindra civilë të vrarë u zbuluan në Buça dhe në të tjera qyteza rreth Kievit, pasi forcat ruse u tërhoqën nga ajo zonë, tre javë më parë. Moska mohon akuzat dhe pretendon se “këto janë inskenime amerikane e ukrainase”.

Shefja e UNHCR-së, Michelle Bachelet, deklaroi:

Gjatë këtyre tetë javëve, që prej fillimit të luftës, ligji humanitar ndërkombëtar jo vetëm është injoruar, por duket se është flakur tutje!

Misioni i OKB-së ka dokumentuar atë që duket të jetë përdorim i armëve me efekte diskriminuese, duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve dhe dëmtuar objektet civile.

Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt e deri mesnatën e 20 prillit, misioni i OKB-së ka dokumentuar dhe verifikuar vrasjen e 2 mijë e 345 civilëve dhe plagosjen e 2 mijë e 919 të tjerëve.

Ne e dimë se numri real është më i lartë, kur tmerret e shkaktuara në zonat ku ka luftime intensive, siç është Mariupoli, të dalin në dritë!
Moska refuzoi armëpushimin për Pashkën ortodokse që festohet pas dy ditësh. Sipas presidentit Zelensky, “kjo tregon se liderët rusë nuk e kanë aspak në konsideratë besimin e krishterë dhe një prej festave më të rëndësishme e të gëzueshme”. “Por, sërish mbajmë shpresën se jeta do të triumfojë mbi vdekjen”, – tha Zelensky.

Pentagoni vlerëson se forcat ruse nuk kanë shënuar asnjë progres domethënës në Donbas, në lindje të Ukrainës. Sipas zëdhënësit John Kirby, “trupat e Putinit kanë kryer disa sulme në pjesën veriore të rajonit, poshtë qytetit Izium, por pa arritur të fitojnë terren”. Ndërkohë, presidenti amerikan Biden kujton betejën për Kievin, duke e përshkruar si “fitore historike për Ukrainën, falë edhe ndihmës së SHBA-ve e aleatëve.

Banka Botërore do të mbështesë Ukrainën me 96 milion dollarë ndihma. Ministria ukrainase e Financave firmosi marrëveshje me institucionin e rëndësishëm financiar për një subvencion që vendi të rimëkëmbet ekonomikisht. Ndërkohë, presidenti ukrainas, Zelensky shprehet se “Rusia rrezikon varfërinë si në vitin 1917”.