Art & Kulturë

“Older, But Better, But Older. The Art of Growing Up” nga Caroline de Maigret dhe Sophie Mas!

Me zgjuarsi lozonjare, këshilla me këmbë në tokë, dhe vështrime të thella kritike, autoret e librit best seller “How To Be Parisian” (“Si të jesh Parisiane” Botimet Dudaj 2015)  i qasen sërish artit parisian të të rriturit. Caroline de Maigret dhe Sophie Mas, rikthehen për t’iu argëtuar, për të thënë atë që mendjet e mendojnë, por gjuhët s’guxojnë ta artikulojnë. Sidoqoftë koha nuk është në duart e tyre, ndaj përshtatja për të ruajtur Parisianen brenda tyre pavarësisht viteve që ikin, modifikimi i zakoneve të tyre prej bad-girls (vajza të paturpshme) dhe evolucioni i mëndësive të tyre pa kufinj kufizues është i udhës tashmë që nga mademoiselle kthehen në madame.

Parisianet boheme ikonoklastike këshillojnë lexuesin e tyre për dashurinë, joshjen, modën dhe takimet në një tjetër etapë të jetës së tyre. Po aq për familjen, punën, të jetuarit vetëm dhe pranimin e difekteve. Thumbues dhe me humor nofull-shyes, ky është një manual mbi gratë e shekullit të ri, gra të cilat drejtojnë jetët e tyre me të drejta të plota.

Pasi ndihmoi gratë e dynjasë të ndjeheshin më Parisiane, pavarësisht ku jetonin, Caroline de Maigret dhe mikesha e saj më e mirë, po aq bashkëautore e dy librave të saj, Sophie Mas, nuk e lanë me aq suksesin e tyre të parë. E ndërsa “Si të jesh Parisiane” një sukses ndërkombëtar i 2014, një lloj manuali me fotografi e tekst vinte me shumë humor, stil dhe zakone të keqija, “Older, but Better, but Older” vjen natyrshëm si nevojë e përsiatjeve, digresioneve, bisedave të forta, të mirave dhe të këqijave që afrohen me plakjen. Një nga ato librat e bukur që i ke tek komodina e krevatit në dhomën e gjumit dhe i merr sa herë do diçka të lehtë por shumë për të qeshur, sepse ironia therëse dhe sarkazma rikthehen me gjithë fuqinë e tyre edhe në këtë libër të dytë.

Nëse i ke lexuar të dy librat do të kuptosh se ndryshimi mes të parit dhe të dytit është tek qasja. Nëse i pari ishte një komedi deri në fantazi utopike, ky është më i thellë (aq i thellë sa mundet të jetë një libër i kësaj prerjeje); duke përplasur të vërteta të ashpra, pyetje të pashmangshme që vijnë me moshën, marrëdhënie që ndryshojnë, dinamikat e takimeve (romantike), pro-të dhe kundrat e kirurgjisë plastike si dhe mosha fizike përkundër asaj emocionale.

Ndërsa libri i parë i Caroline de Maigret & co. luante me mitin e grave të paprekshme të kryeqytetit francez, perfekte në imperfeksionin e tyre, ky libër manifeston një këndvështrim më realist, duke rrëfyer se, si kudo tjetër në glob, gratë i lodhin të njëjtat halle, halle me të cilat nëse nuk bën paqe e ke të pamundur të jetosh një jetë të rehatshme, të jesh e fortë dhe e lumtur.

Sidoqoftë zonjat vazhdojnë të ruajnë një qasje komike ndaj të gjitha temave që ngrejnë, duke vërtetuar se jeta jetohet më mirë kur nuk e merr veten apo atë vetë shumë seriozisht.  Jo rrallë libri has në tema të cilat konsiderohen ende tabú me një mesazh të qartë i cili mund të përmblidhet me përfundimin se është më e lehtë të pranosh plakjen sesa ta luftosh atë.

Sigurisht mos ngrini pritshmëri për këtë libër përtej çfarë është, një ripaketim i publikimeve të revistave të modës, një lexim i lehtë, por shpesh i nevojshëm karshi jetëve tona kaotike. Është fantastike që dy gra që punojnë pikërisht në ambjentet e akullta të industrisë së modës, të flasin shkoqur me mesazhe kundër predikimit të perfektes, aq më shumë me moshën. Sepse të jetosh si parisiane do të thotë të jesh e lumtur me gjithçka që vitet sjellin me vete.

Kini parasysh, rrudhat janë si kujtimet. Mirë është të zhdukësh ndonjë herë pas here, pa harruar kush je në të vërtetë.