Sport

Olimpiada e Tokios, fokus te shëndeti mendor!

Simone Biles përmendi problemet e shëndetit mendor si arsye për tërheqjen e saj nga gara e ekipit të gjimnastikës dhe individuale duke theksuar një diskutim që ka qarkulluar në sport nga viti i kaluar.

Biles iu bashkohet emrave të tjerë të mirënjohur në hapësirën olimpike, të cilët kanë folur hapur për një temë që ishte tabu për një kohë të gjatë në sport. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka marrë një qëndrim aktiv për të siguruar burime për atletët dhe e ka zhvendosur tonin nga performanca sportive e rezultatet, te shëndeti mendor e fuqizimi i zërave të vetë atletëve.

Për dekada me radhë, atyre iu është thënë të lënë mënjanë emocionet dhe të bëhen të fortë, të lënë mënjanë mëdyshjet e të përqendrohen te detyra kryesore: fitorja. Të dominojnë dhe të dalin në krye.

Për vite me radhë, Simone Biles ishte një nga më të mirat në këtë drejtim. Papritmas, ajo tha se nuk ndihej mirë në aspektin mendor. Duke ulur fanellën e saj të bardhë në mes të garës së gjimnastikës, të martën në mbrëmje, Biles mund t’i ketë dhënë një dimension të ri diskutimit të shëndetit mendor që po zhvillohet në sport nga viti i kaluar.

Michael Phelps, fitues i një rekordi prej 23 medaljesh ari dhe tani i shkëputur, ka qenë prej kohësh i hapur për betejën e tij me shëndetin mendor. Phelps tha se kishte menduar të kryente vetëvrasje pas Olimpiadës 2012 ndërsa vuante rëndë nga depresioni. Tani që angazhohet si analist për mbulimin e garave të notit në kanalin NBC, bëri të ditur se kur dëgjoi problemet me të cilat po luftonte Biles “iu thye zemra”.

Shëndeti mendor gjatë 18 muajve të fundit është diçka për të cilën njerëzit po flasin. Ne jemi qenie njerëzore. Askush nuk është perfekt. Kështu që është OK të mos jesh OK.

Biles bashkohet me disa atletë të tjerë të profilit të lartë në hapësirën olimpike, shumica femra, që kanë folur hapur për një temë tabu në sport, për një kohë të gjatë. Ajo i çoi gjërat në një nivel të ri, u tërhoq, vlerësoi situatën dhe kuptoi se nuk do të ishte e shëndetshme të vazhdonte. Tashmë do të përqëndrohet në mirëqenien e saj mendore.

I vetëdijshëm për betejat me të cilat përballen atletët e rinj, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) shtoi burimet e tij të shëndetit mendor përpara Lojërave të Tokios.
Psikologët dhe psikiatrët janë në terren në Fshatin Olimpik e krijuan një “Linjë Ndihme të Shëndetit Mendor”, si një shërbim konfidencial të ndihmës shëndetësore të disponueshme para, gjatë dhe për tre muaj pas Lojërave.

Linja telefonike 24-orëshe është një shërbim falas që ofron mbështetje klinike, këshillim të strukturuar afatshkurtër, mbështetje praktike në më shumë se 70 gjuhë dhe nëse nevojitet, udhëzime për mekanizmat e duhur të raportimit në Komitetin Olimpik në rast të ngacmimit dhe/ose abuzimit.

Faqja elektronike e ngritur nga IOC, Athlete365 anketoi më shumë se 4.000 atletë në fillim të vitit të kaluar dhe rezultatet bënë që IOC të zhvendoste fokusin nga performanca sportive dhe rezultatet, te shëndeti mendor dhe dëgjimi i zërave të atletëve.

Burimi: Zëri i Amerikës