Bota

Omicron-it ende duhet t’i shmangeni!

Omicron që po përhapet shumë shpejt e shoqërohet me simptoma më të lehta në krahasim me variantet e tjera, po krijon idenë se COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi, përbën rrezik më të vogël se deri tani. Të shumtë janë ata që pyesin se deri në çfarë shkalle duhen marrë masa për të parandaluar infektimin. Njerëzit besojnë se secili prej tyre do të përballet me virusin, herët a vonë.

Në disa studime thuhet se Omicron mund të mos ketë simptoma ose ato janë më të pakta se në variantet e tjera. Ata që i shfaqin, i kanë më të lehta, si dhimbje fyti, rrjedhje hundësh dhe jo probleme me frymëmarrje si më parë. Por, përhapja e jashtëzakonshme e Omicron-it në disa shtete, nënkupton se më shumë njerëz do të përballen me formë të rëndë. Të dhënat e fundit nga Italia e Gjermania tregojnë se të pavaksinuarit janë më të rrezikuar ndaj mundësisë së shtrimit në spital, terapisë intensive e vdekjes.

Eksperti për viruse, Michel Nussenzweig nga Universiteti Rockefeller i Nju Jorkut:

Herët apo vonë çdo njeri do të infektohet, edhe pse sa më vonë, aq më mirë. Përse? Sepse më vonë do të kemi më shumë ilaçe e vaksina më të mira.

Mund të infektoni të tjerët

Një i infektuar mund të përballet me simptoma të lehta, por në të njëjtën kohë të transmetojë virusin te dikush tjetër që është në rrezik, edhe nëse ka antitrupa nga infektimi i mëparshëm apo nga vaksinimi. Njerëzit që nënvlerësojnë Omicron-in si “të butë”, janë duke vënë veten në rrezik për t’u përballur me efektet e sëmundjes me muaj apo vite. Po ashtu, ende nuk dihet nëse Omicron do të ketë ndonjë efekt “të heshtur” si variantet e tjera, duke përfshirë antitrupa vetë-sulmues.

Nuk ka ilaçe me shumicë

Trajtimet kundër koronavirusit janë tejet të kufizuara dhe mjekët duhet t’i përdorin ato në mënyrë racionale. Dy prej tre ilaçeve me antitrupa, të cilat janë përdorur në valët paraprake të koronavirusit, tani nuk kanë efekt ndaj këtij varianti. I treti, sotrovimab, nga GlaxoSmithKline, nuk është prodhuar në sasi të mëdha, ashtu si edhe trajtimi i ri përmes pilulave Paxlovid, i kompanisë amerikane, Pfizer, që duket se ka efekt kundër Omicron-it.

Spitalet po mbushen

Personat e vaksinuar plotësisht dhe ata që kanë marrë dozën përforcuese, pa ndonjë sëmundje kronike shëndetësore, Omicron-i “nuk do të mund t’i dëmtojë shumë”, – shprehet David Ho, profesor i mikrobiologjisë dhe imunologjisë në Universitetin Kolumbia.

Megjithatë, sa më pak infektime, aq më mirë është, sidomos tani që spitalet po mbushen dhe vala e Omicronit nuk ka kaluar ende në shumicën e rajoneve të SHBA-ve!

Më shumë infektime nënkuptojnë më shumë variante

Omicroni është varianti i pestë i koronavirusit, i përhapur gjerësisht dhe mbetet të shihet nëse virusi ka aftësi të krijojë më shumë mutacione. Shkalla e lartë e infektimit i ofron virusit më shumë mundësi për mutacione, dhe nuk ka garanci se versioni i ri potencial është më i lehtë se të tjerët.

COVID-19 na ka befasuar në disa mënyra në dy vitet e fundit, ndaj nuk mund të parashikojmë trajektoren e evoluimit të tij.