Aktualitet

Omicron në Shqipëri?, Manastirliu: Mostrat për analizim në Gjermani

Nga qendra e vaksinimit të përqendruar në stadiumin “Air Albania” ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë janë të shqetësuara sa i përket përhapjes së variantit Omicron te koronavirusit në disa vende.

Ogerta Manastirliu bëri thirrje për vaksinimin kundër Covid-19.

Është e rëndësishme të vijojmë vaksinimin edhe në raport me variantin e ri Omicron që tashmë ka shqetësuar botën. Jo duke i vendosur vendet në panik, por i ka vendosur në një gatishmëri të shtuar të gjitha vendet, ashtu sikurse edhe ne, tha Manastirliu.

Duke folur për variantin e ri Omicron, Manastirliu tha se ISHP do të dërgojë mostrat për analizim për të parë më pas nëse ky variant ka qarkulluar apo po qarkullon në vendin tonë.

Instituti i Shëndetit Publik është duke punuar për të përgatitur mostrat sipas protokolleve të ECDC, për t’i çuar për t’i analizuar dhe për të vijuar më tej sekuencimin e këtyre mostrave. Për të bërë dhe ne të gjithë atë hartëzimin e nevojshëm për të vlerësuar nëse varianti Omicron qarkullon në vendin tonë dhe sigurisht ajo çfarë është më e rëndësishme është që të rrisim vigjilencën, tha Manastirliu.

Lidhur me masat anticovid, Manastirliu tha se situata është në monitorim.

Ne jemi duke bërë një vlerësim të imtësishëm të gjitha masave aktuale që ne kemi në luftën kundër Covid-19 duke filluar nga masat ekzistuese të qarkullimit, patjetër të distancimit, të vendosjes së maskave në ambientet e brendshme. Sigurisht duke vijuar me rritjen e mbulesës vaksinale dhe me vaksinimin qoftë me dozat e para, qoftë me duke u vaksinuar plotësisht për të mos vonuar vaksinën apo dozën e dytë dhe qoftë për të bërë vaksinën përforcuese apo dozën e tretë.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino tha se “Omicron” nga pikëpamja e transmetueshmërisë mendohet që ka një transmetueshmëri të lartë.

Mendohet që mund të jetë më i lartë se transmetueshmëria e Deltës, megjithatë edhe kjo mbetet për t’u parë sepse ka nevojë që të vlerësohet se si është transmetueshmëria brenda familjes apo jashtë saj.