Bota

Omicron shqetëson, por nga ky variant i koronavirusit, deri tani nuk ka asnjë fatalitet sipas OBSH-së!

Për momentin, Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH nuk ka të dhëna konkrete për ndonjë vdekje të lidhur me Omicronin, variantin e ri të koronavirusit të evidentuar në Afrikën e Jugut dhe që përbën shqetësim.

OBSH pret më shumë informacione ndërsa vendet kryejnë verifikimet përkatëse lidhur me këtë variant për të cilin zyrtarisht thuhet se për herë të parë u identifikua në Afrikën e Jugut, ndonëse një studim sugjeroi se përpara Afrikës ka dyshime se ka qarkulluar në Europë.

Deri tani, dihet vetëm se Omicron është jashtëzakonisht i transmetueshëm dhe se shkakton vetëm një sëmundje relativisht të lehtë te personat e vaksinuar kundër COVID-it. Megjithatë, shumë vende janë vënë në lëvizje duke marrë masa paraprake, përfshirë Shqipërinë.

Kujtojmë se nga sot, autoritetet shëndetësore në vendin tonë rekomandojnë ndalimin e hyrjes së shtetasve të huaj me histori të udhëtimit 14 ditët e fundit nga Afrika e Jugut, Kenia, Angola, Botsvana, Senegal, Zambia, për tre javë. Kjo për shkak të shfaqjes së variantit Omicron. Gjithashtu, deri më 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, supermarketeve e të qendrave tregtare në vendin tonë, duhet të vaksinohen! Më 4 janar do të kërkohet certifikata e vaksinimit ose test anti-COVID, çdo 5 ditë.

Nga e hëna, Shtetet e Bashkuara vendosin kufizime të reja në kuadër të luftës kundër pandemisë koronavirus. Të gjithë të huajt e vaksinuar, që në territorin amerikan hyjnë në rrugë ajrore, pra me avionë, duhet të paraqesin test negativ të bërë një ditë më parë. Deri në mars të vitit të ardhshëm, vendosja e maskës në avionë, trena dhe autobusë, përbën detyrim në Amerikë ku rastet e para me variantin Omicron u regjistruan në Kaliforni, Kolorado, Minesota, Nju Jork e Hauai. Të infektuarit shfaqin vetëm simptoma të lehta, ashtu siç paralajmëruan mjekët nga Afrika e Jugut duke lënë të kuptohet se nuk ka vend për panik nga Omicron.