Aktualitet Rajoni

“Open Balkan”, Vuçiç mbërrin i pari në samit, video nga momenti kur Presidenti serb pret Ramën e Dimitrov.

Ditën e sotme mbahet samiti i rradhës në kuadër të nismës së “Ballkanit të Hapur” ku pjesë e takimit do të jenë kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti Serb Aleksandër Vuçiç dhe zvkryeministri maqedonas Nikola Dimitrov, pas dorëheqjes së njoftuar të Zoran Zaev.

Darkës së djeshme i është bashkuar edhe kryeministri i Malit të Zi Zdravko Krivkapiçi, i cili tha se mbështet cdo lloj nismë të organizuar për të mirën e Ballkanit duke lënë të kuptohet se mund të ishte pjesë e këtij organizimi në të ardhmen. Por ditën e sotme nuk do të jetë prezent në Samit duke u larguar nga Serbia.

Gazetarja Kristi Gongo sjell për Top Albania Radio pamje nga Samiti ku duket se i pari që ka mbërritur është i “zoti i shtëpisë”, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Iniciativa për Bashkëpunim do të mbahet në Pallatin e Serbisë (Bulevar Mihajla Pupina 2).
Takimit të tre zyrtarëve do t’i paraprijë një takim me përfaqësues të kompanive nga Republika e Serbisë, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, si dhe me përfaqësues të Këshillit Atlantik.