Aktualitet

Operacion anti-kanabis në Krujë, 16 në pranga!

16 të arrestuar dhe 24 në kërkim! Në luftën për parandalimin e kultivimit të kanabisit, Policia e Shtetit finalizoi operacionin e koduar “Agimi” në tre zona të rrethit Krujë: Nikël, Halil e Arrameras. Një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llampa u sekuestrua bashkë me 20 mijë rrënjë kanabis sativa, kubikë dhe fidanë kanabis, 5 automjete e të tjera prova materiale.

Bazuar në të dhënat e mbledhura nga monitorimet me dronë të Policisë së Shtetit dhe nga ajri, me avionë të Guardia Di Finanza-s u kontrolluan sera, magazina, banesa e zona të pyllëzuara.

Për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” në bashkëpunim, Policia vuri në pranga shtetasit Xh.K. dhe D.K. banues në Halil, babë e bir, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në pronën e tyre u konstatua një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llampa.

Gjatë operacionit, Policia gjeti fidanë kanabis të kultivuar në sera dhe në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit A.D. 27-vjeç, banues në Nikël; M.L. 20-vjeç, banues në Larushkë; E.K. 18-vjeç, banues në Qerekë; I.K. 33-vjeç, banues në Arrameras; D.D. 49-vjeçe, banuese në Nikël; M.V. 16-vjeç, banues në Halil; F.K. 34-vjeç, banues në Halil; E.A. 30-vjeç, banues në Halil; F.K. 56-vjeçe, banuese në Halil; R.D. 53-vjeç, banues në Halil; E.D. 26-vjeç, banues në Halil.

Në pranga janë vënë edhe Kryeplaku i fshatit Halil, shtetasi F.H. 61-vjeç, si dhe dy punonjës të OSHEE-së, shtetasit E.P. 32-vjeç, dhe S.K. 32-vjeç, banues në Halil për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Po ashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shkak të moshës i shtetasve:

E.L. 17-vjeç, banues në Larushk; G.C. 70-vjeç, banues në Halil dhe H.XH. 78-vjeç, banues në Halil, Kryeplak i fshatit Nikël.

Policia shpalli në kërkim dhe po punohet për kapjen e 24 shtetasve të tjerë, të dyshuar të përfshirë në aktivitetin kriminal.