Aktualitet

Operacion antidrogë në Lezhë, tre në pranga!

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Zadrima”, tre shtetas u arrestuan në Lezhë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Njoftimi zyrtar:

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin e goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas po transportonin lëndë narkotike me dy automjete në rrugën nacionale Shkodër-Lezhë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Lezhë.

Si rezultat i kësaj, u bë lokalizimi dhe ndalimi i dy automjeteve. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin I.D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale pesë thasë të mbushur me material bimor të dyshuar lëndë narkotike kanabis, e cila pas peshimit rezultoi 40 kilogramë. Në automjetin tjetër tip “Seat” ndodheshin shtetasit D. M. dhe E. A., të cilët shoqëronin makinën ku u gjet lënda narkotike.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: I. D., 31 vjeç, E. A., 28 vjeç dhe D. M., 37 vjeç, të tre banues në Shkodër.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.