Aktualitet

Operacion kundër emigrantëve të paligjshëm në Korçë, një në pranga!

Në vijim të operacionit të koduar “Perimetri 189”, Drejtoria e Policisë Vendore Korçë bëri të mundur arrestimin e një shtetasi, pasi u kap duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit.

Në njoftimin zyrtar thuhet:

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) Korçë, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. V., 21 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.

Shërbimet e Policisë e kanë kapur këtë shtetas, në dalje të qytetit të Pogradecit, duke transportuar me mjetin tip “Opel”, në drejtim të Tiranës, 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.