Aktualitet

Operacioni antikanabis “Alpe të pastra”, asgjësohen rreth 27 mijë/Një në kërkim!

Operacion masiv policor kundër kanabisit në Malësi të Madhe, gjenden dhe asgjësohen me djegie rreth 27 mijë fidanë në fshatin Gruemirë-Çesme. Në kuadër të këtij operacioni të koduar “Alpe të pastra” dhe që vazhdon, blutë shpallën në kërkim një 55-vjeçar nga Povari po i Malësisë së Madhe. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e të tjerë personave të përfshirë.

Njoftimi i Policisë: 

Malësi e Madhe/Vijon kontrolli i territorit për parandalimin e kultivimit të kanabisit që në fazën fillestare.

Finalizohet faza e dytë e megaoperacionit policor antikanabis “Alpe të pastra”.

Asgjësohen 6300 fidanë të mbjellë në tokë dhe 20,300 fidanë në kubikë.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim njëri nga autorët kryesorë të kësaj veprimtarie kriminale.

Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të Komisariateve në varësi të saj, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen që në fazën fillestare të tentativave për kultivim të bimëve narkoitke, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, është finalizuar faza e dytë e megaoperacionit antikanabis “Alpe të pastra”.

Bazuar në inteligjencën informative dhe si rezultat i planit operacional për kontrollin e territorit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë konstatuar në territorin e fshatin Gruemirë-Çesme, Malësi e Madhe, në ambient të hapur, 6300 fidanë të dyshuar cannabis sativa të mbjellë në tokë, si dhe 20300 fidanë në kubikë, që dyshohet se do të kultivoheshin në toka, në zona malore të Malësisë së Madhe.

Fidanët e mbjellë në tokë dhe në kubikë janë asgjësuar me anë të djegies, përveç një pjese të vogël që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Falë veprimeve të shpejta, bazuar dhe në informacionet e siguruara, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin e njërit prej autorëve kryesorë të tentativës për kultivim të këtyre fidanëve, konkretisht shtetasin A. D., 55 vjeç, banues në fshatin Polvar, Malësi e Madhe, i cili u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Megaoperacioni policor antikanabis “Alpe të pastra”, vijon.