Sport

Operohet Gjimshiti, ja për sa kohë mbetet jashtë fushave!

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti i është nënshtruar operacionit në Torino, pas dëmtimit që pësoi në parakrahun e majtë gjatë ndeshjes me Hungarinë. Federata Shqipatre e Futbollit bën me dije se operacioni i Gjimshitit është realizuar me sukses, ndërsa ai do të fillojë stërvitjen pas rreth një jave. Por për tu kthyer zyrtarisht në fushën e gjelbër e për të marrë pjesë në ndeshje Gjimshitit do t’i duhet një muaj.

“Berat Gjimshiti, ylli i mbrojtjes kuqezi që pësoi një dëmtim në parakrahun e majtë në ndeshjen me Hungarinë, është operuar ditën e sotme në një nga klinikat sportive më të mira të Torinos, në Itali. Stafi mjekësor i Kombëtares ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me stafin mjekësor të Atalantës, dhe bën me dije se operacioni i zhvilluar mëngjesin e sotshëm ka shkuar me shumë sukses dhe lojtari është në gjendje shumë të mirë. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi kuqezi pas 7-10 ditësh do të rinisë stërvitjen dhe sipas parashikimeve do të jetë i gatshëm për të luajtur ndeshje zyrtare pas 30 ditësh. Federata Shqiptare e Futbollit i uron rikthim sa më të shpejtë në fushën e blertë Beratit dhe beson se shumë shpejt ai do të rikthehet të shkëlqejë përsëri në stadiumet europiane”, njofton FSHF.

Berat Gjimshiti u dëmtua në ndeshjen që kombëtarja zhvilloi me Hungarinë në “Puskas Arena”. Ai u dëmtua gjatë pjesës së parë nga një përplasje me portierin Berisha në përpjekje për të larguar një top të hedhur në zonën tonë.