Rajoni

Operohet Vjosa Osmani/18 kirurgë të indinjuar që zgjodhi një spital privat në Kosovë!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale të lehtë. Siç njofton zyra e saj, pas rekomandimit të mjekëve, kryetarja e shtetit duhej të hiqte tëmthin, një operacion që po sipas njoftimit zyrtar, u përmbyll me sukses. Siç përcakton Kushtetuta për të tilla raste, përgjegjësitë e Presidentes së Republikës i kalojnë përkohësisht kryetarit të Kuvendit, pra Glauk Konjufcës.

Njoftimi i Presidencës së Kosovës

Njoftojmë opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses.

Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca.

Nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdojë me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’i kthehet angazhimeve publike.

Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë mirëkuptimin e medieve për të respektuar të drejtën themelore për privatësi të Presidentes, që është e garantuar me Kushtetutë.

Kirurgët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës reaguan ashpër ndaj presidentes Osmani, e cila zgjodhi një spital privat për operacionin. Në një deklaratë të nënshkruar nga 18 kirurgë, shprehet indinjatë.

Duke u bazuar në situatën aktuale Kolegjiumi i Kirurgëve të Kosovës reagon ndaj anashkalimit të Presidentes së Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani, që i ka bërë këtij institucioni duke mos kërkuar trajtim shëndetësor në institucionin tonë, por pa u konsultuar fare me personelin udhëheqës, ka marr trajtim shëndetësor jashtë SHSKUK-së.

Operacioni për heqjen e tëmthit është një procedurë rutinë që kryhet në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale që nga viti 1999, me përqindje të suksesit 99.9 për qind.

Injorimi dhe nënçmimi që presidentja i ka bërë kolegjiumit të Kirurgëve e në veçanti institucionit mbi të cilat udhëheq është e papranueshme për të gjithë.

Në fund, kirurgët i uruan shërim të shpejt presidentes Osmani, duke kërkuar që në të ardhmen të mos anashkalohet sektori publik.