Aktualitet

Opinion nga Zilie Feçi/Pse u zgjodh Tirana për Samitin e “Burrave të Evropës”?!

Për herë të parë ndodh në Tiranë. Më parë as mendohej, se kryeqyteti shqiptar do të kishte si mysafirë të tij numrin më të madh të liderëve të Evropës të mbledhur të gjithë në një ditë, në atë që pas 6 dhjetorit do të njihet si Samiti i Tiranës. Ky akt politik as mendohej, por askush në Europë nuk e ka marrë në konsideratë se kjo mund të ndodhte dhe ku, pikërisht në kryeqytetin shqiptar.

Por, pyetja e të gjithëve kërkon një përgjigje dhe ka të bëjë me zgjedhjen e Tiranës nga presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel. Ky është një Samit i nivelit të lartë dhe Shqipëria duhet të “matet mirë” për ta zhvilluar atë më së miri dhe përçuar si duhet mesazhet që do “firmosen” në të.

Ata që sot kanë në duar fatet e Gjermanisë, Francës, Italisë, apo të gjitha vendeve të tjera të Unionit do të jenë në sytë e gjithë botës, ndërsa Tirana dhe ajo që do ndodhë në gjithçka, do të jetë në faqet e thuajse të gjitha mediave ndërkombëtare.

Dhe të kthehemi sërish tek pyetja pa përgjigje. Pse në Tiranë?! Nëse Macron, Scholz, apo Meloni do kishin mesazhe të forta për Shqipërinë, apo rajonin e Ballkanit Perëndimor do e kishin shumë më të lehtë të zhvillonin një samit fjala bie në Athinë, Selanik, Beograd, apo Zagreb. Dhe kjo nuk do të ishte aspak çudi, sepse në Selanik përshembull ka pasur një Samit disa vite më parë dhe njihet si eventi politik europian me emrin e qytetit ku u zhvillua.

Analistë të ndryshëm thonë se ky Samit në Tiranë nuk është aspak simbolik. Eshtë një nga ato zhvillime të forta politike, që i bëjnë karshillëk “armiqve” të Ballkanit Perëndimor. Të tjerë thonë se hapja e negociatatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ishin shtysa e “burrave të Evropës” për të qenë në Tiranë. Por, Tirana është në shënjestrën politike për shumë arsye. Ndaj, ky moment politik do të jetë një “busull” për të gjithë, për ata që kanë veshë të dëgjojnë dhe sy të shikojnë. Por, do të jetë edhe një “vend nderi” në Evropë, aty ku pas 6 dhjetorit harta do të përmbajë edhe një koleksion me shumë foto, mbi të cilat do të shkruhet “Samiti i Tiranës”.

Me pak fjalë, kur kërkon një pse të këtij vendimi apo akti politik, asnjë kontekst tjetër nuk të vjen ndërmend, përveçse politik. E pikërisht politikisht duhet gjykuar ky zhvillim, i cili nuk ka asnjë faktor tjetër në morinë e argumenteve që mund të shtrohen apo vijnë spontanisht si mundësi logjike.

Shqipëria është një zgjedhje e qartë politike. E pikërisht si sinjal politik vjen edhe bojkoti nga Presidenti i Serbisë, i cili mungesën në Samitin e Tiranës, e ka shpallur demonstrativisht si një qëndrim politik.
Bashkimi Europian ka investuar politikisht në Shqipëri një proces të rëndësishëm antikorrupsion, siç është Reforma në Drejtësi. Bashkimi Europian ka në Shqipëri një trupë të rëndësishme institucionale, që drejton dhe monitoron përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri.

E pikërisht, duke qenë se BE e konsideron Shqipërinë, një vend që është pjesë e investimit politik të Europës, ka marrë vendimin që aty në kryeqytetin e Shqipërisë të shpërndajë mesazhe të rëndësishme në një nivel super të lartë politik.

Mesazhe që ka shumë gjasa që të jenë të forta, duke nisur nga përmendja e investimit të madh për SPAK e Reformën në Drejtësi, e deri tek zgjedhjet në prag, (ndonëse lokale) që duhet të përmbushin njëherë e mirë standardet që kërkon Evropa. Mesazhe që do kenë për kryefjalë edhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë në këtë vend, që në jo pak raste ka qenë kryefjalë e çdo ndërkombëtari, këmba e të cilit ka shkelur në këtë vend.

Është një zgjedhje politike e Evropës, edhe si një mesazh për Berishën dhe Metën, të cilët ndoshta edhe për këtë fakt do të zhvillojnë një protestë pikërisht në atë ditë, në “sytë e gjithë botës’.