Aktualitet

Opium në Vlorë, gjenden 70 bimë të dyshuara në fshatin Drithas!

Jo vetëm kultivim kanabisi, tashmë edhe opiumi. Pas informacioneve të marra, në bashkëpunim me qytetarët, policia zbuloi të kultivuara 70 bimë të dyshuara narkotike opium, në një mjedis të hapur në fshatin Drithas të Vlorës. I dyshuar si kultivues i tyre, në pranga ra një 54-vjeçar po nga Drithasi, i identifikuar si shtetasi Tolem Lamaj.

Njoftimi zyrtar i Policisë Vlorë:

Në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për intensifikimin e kontrolleve, me shërbime të shtuara dhe logjistikë bashkëkohore, me qëllim parandalimim dhe goditjen e tentativave që në fazë fillestare të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, bazuar dhe në informacionet e marra falë bashkëpunimit me qytetarët, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Opium”.

Gjatë këtij operacioni, në fshatin Drithas, në një ambient të hapur, në tokën e shtetasit T.L., u konstatuan të kultivuara 70 bimë të dyshuara narkotike opium, të cilat pas veprimeve procedurale dhe hetimore, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. L., 54 vjeç, banues në fshatin Drithas, i dyshuar si kultivuesi i bimëve narkotike opium.