Aktualitet

Opozita kërkon heqjen e mandatit Olta Xhaçkës, kryeministri Rama flet për sulme personale!

Këshilli i Mandateve është rimbledhur për të shqyrtuar kërkesën e grupit parlamentar demokrat lidhur me heqjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, e akuzuar se ka konflikt interesi përmes bashkëshortit, si investitor strategjik. Sipas Xhaçkës, njëherazi ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, bashkëshorti nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga shteti, por vetëm siguri juridike. Por, për Gazment Bardhin, përfitimi i pasurisë së një prone të shtetit nga ana e funksionarit shtetëror apo e deputetit, nuk lejohet.

Klotilda Bushka: Pyetja që kam unë për nismëtarët: Si përfiton Olta Xhaçka referuar Nenit 70 të Kushtetutës?

Gazment Bardhi: Kjo është pasuri e ministres dhe deputetes Olta Xhaçka. Neni 35 i konfliktit të interesit thotë: në rast se aksionet apo pjesë në kapital që janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur, ato konsiderohen njëlloj si të ishin në emrin e zyrtarit. Pra, çdo aksion i bashkëshortit, në rastin konkret konsiderohet si të ishte i Olta Xhaçkës. Ministrja ka 50% të fitimeve nga veprimtaria fitimprurëse lidhur me këtë pronë. Ministrja është duke kryer një veprimtari fitimprurëse, me pasuri të shtetit.

Taulant Balla: Në eksperiencën 30-vjeçare të këtyre rasteve, kërkuesit i janë referuar gjithmonë provave. Pyetja ime është shumë e thjeshtë: A ka fituar znj.Olta Xhaçka një qindarkë dhe nëse po, në çfarë rruge? Në bankë, cash, kriptovalutë?

Bardhi: Një qytetar që shkon sot dhe merr bukën, paguan 20%. Olta Xhaçka për të ndërtuar një hotel me 5 yje dhe për të marrë fitime, paguan 5%. Këto janë lekë, para’ të munguara në Buxhetin e Shtetit. Sa i takon fitimeve, unë nuk jam kontabilisti i Olta Xhaçkës. Presim sa do të deklarojë vitin e ardhshëm. Di që ka marrë paga lufte. E rëndësishme është që po bën veprimtari tregtare në një pronë shtetërore.

Balla: Përgjigja e kërkuesve ishte e plotë, e qartë dhe që nuk kemi të bëjmë me parashikimet e Nenit 70, Pika 3.  Pra, kërkesa juaj nuk është e bazuar në parashikimin e Kushtetutës. Në doktrinën e saj, Gjykata Kushtetuese gjithmonë ka kërkuar vlerësimin e përfitimit. Ka ndodhur? Sa ka qenë? Dhe në rastin në fjalë, përfaqësuesi i kërkuesve këtu, tha se përfitimi do të ndodhë. Pra, ende nuk ka ndodhur.

Bardhi: Përfitimi i pasurisë së një prone të shtetit nga ana e funksionarit shtetëror apo nga ana e deputetit, nuk lejohet! Prona e shtetit iu dha 50% nga deputetja Xhaçka, nuk ka rëndësi që te xhepi i deputetit ka hyrë apo jo një qindarkë, rëndësi ka që deputeti ka përfituar pasuri shtetërore.

Bushka: Në rastin konkret, deputeti nuk rezulton që të ketë në shfrytëzim një pasuri publike apo të ketë marrë një pronë shtetërore. Ne këtu jemi që të shqyrtojmë kushtetuetshmërinë e provës. Më thoni, ku znj.Olta Xhaçka ka pasuri të shtetit apo përfiton nga pasuri e shtetit? Ky është ndalimi i vetëm që do të na vinte ne në lëvizje për t’ia çuar Gjykatës Kushtetuese. Në asnjë dokument që ju keni paraqitur, nuk rezulton emri i Olta Xhaçkës.

Ministrja Olta Xhaçka tha sot se po pret vendimin e institucioneve, duke theksuar se është e bindur që do flasin siç duhet. Një koment për çështjen Xhaçka e kishte dhe kryeministri Rama:

Ky diskutim nuk ka asnjë vlerë, përkundrazi është i shëmtuar në nivelin e sulmit personal ndaj ministres.

E kam të qartë që çdo minutë e humbur për t’u marrë me këta është gjynah i madh. Nuk shoh asnjë problem të natyrës së ngritur në këtë furtunë në gotë. Megjithatë, le ta gjykojnë institucionet!

Në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë ka me mijëra subjekte, të cilët marrin në shfrytëzim një pjesë plazh si rezultat i disponimit të një prone private dhe një nga këto mijëra subjekte është ky në fjalë. Tani çfarë duhet të bëhet në këtë rast? Duhet të thuhet që meqë subjekti është i përbërë nga disa komponentë, njëri prej të cilëve bashkëshorti i ministres si mijëra të tjerë dhe ka një pronë private si mijëra të tjerë, nuk mund të marrë të shfrytëzojë plazhin përballë pronës private? Kjo duhej thënë? Nga mënyra si diskutohet, duket sikur këtu qeveria ka marrë një pronë shtetërore dhe ia ka dhënë bashkëshortit të një ministreje. Ndërkohë që këtu ka ndodhur ajo që ndodh në të gjithë vijën bregdetarë për mijëra shqiptarë që kanë pronën e tyre, resortin e tyre dhe që marrin në shfrytëzim pjesën përkatëse të plazhit përballë pronës së tyre private. Si në të gjithë botën demokratike ose jo ku ekziston prona private, shteti ndjek këtë praktikë që plazhi të mirëmbahet, të pastrohet.