Rajoni

Opozita në Kosovë kërkesë për ndryshime në Fondin e Kursimeve!

Dy subjekte opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i kërkojnë qeverisë, që sa më me shpejtësi të sjellë në Kuvend projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve të Pensionit. Drafti do t’u mundësonte qytetarëve tërheqjen deri në 30% të kursimeve për pension. PDK propozoi tërheqjen nga Fondi i Kursimeve, që njihet si Trusti.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha:

Projektligji ende është në Komisionin për Buxhetin e nga ky komision, ne kërkojmë të reagojë sa më shpejt e ta sjellë projektligjin, që të procedojmë për seancën e radhës.

Edhe kreu i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kërkoi që ky projektligj të shkojë në Kuvend, pa vonesa. Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, njëherazi nismëtar i këtij projektligji, beson se ka vota të mjaftueshme, përfshirë të deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, që të miratohet tërheqja e kursimeve nga Trusti. Por, më herët, Vetëvendosje u shpreh kundër një propozimi të tillë.

Një ligj konsiderohet i miratuar, nëse për të voton shumica e deputetëve të pranishëm në seancë. Kuvendi i Kosovës ka 120 ligjvënës. Haxhiu thekson se deputetët nuk duhet të hezitojnë për miratimin, pasi kjo do të lehtësonte situatën financiare të qytetarëve, pas shtrenjtimit të artikujve bazë.

Në muajin prill të këtij viti, inflacioni në Kosovë arriti në rreth 11 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky projektligj gjendet në Komisionin për Buxhetin e pritet t’i dërgohet Kryesisë së Kuvendit që të përfshihet në rend dite për shqyrtim. Sipas propozimit të PDK-së, kush ka më pak se 10 mijë euro kursime, të ketë të drejtën e tërheqjes së 30 përqind të shumës. Ata që kanë deri në 20 mijë euro, 25 për qind, ndërsa nga 20 mijë në 30 mijë euro, vetëm 20 për qind.