Rajoni

Opozita në Kosovë kundër aksioneve qeveritare në veriun me shumicë serbe!

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, partitë opozitare kritikuan Qeverinë për aksionet ne veri, si dhe çështjen e gazsjellësit. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se “në veri të Mitrovicës, nuk ka siguri”. Ai foli për dy aksionet e njësive speciale të Policisë lidhur me zbatimin e reciprocitetit për targat me Serbinë dhe luftën ndaj kontrabandës.

Kemi parë dy operacione policore në veri të vendit dhe pas tyre, ndodhi përkeqësimi i gjendjes sa i përket rendit e ligjit dhe dobësimi i shtetit ligjor.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh se “në veri të Ibrit, ka më shumë rend e ligj tani se kurdoherë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës”.

Veriu ishte i rrezikuar në kohën kur deputeti Haradinaj e priste në zyrë kriminelin Millan Radojeçiç. Rreziku ka qenë nga marrëveshjet me kriminelë, nuk e rrezikon veriun, Policia. Fjala e deputetit Haradinaj është sulm ndaj moralit të policit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, foli lidhur me reagimet e opozitës për aksionet në veri të Mitrovicës. Ajo hodhi poshtë akuzat e partive opozitare, që këto aksione ishin të qëllimshme, në prag të zgjedhjeve lokale.

Punët e Qeverisë dhe Kuvendit nuk presin, ato duhet të vazhdojnë pa marrë parasysh procesin zgjedhor. Gjatë tij, dhamë edhe një shembull e vendosëm një standard të ri për pjesëmarrje në votimet vendore.

Javën e kaluar, autoritetet në Kosovë ndërmorrën një aksion anti-kontrabandë në disa komuna të vendit përfshirë Mitrovicën e Veriut. Ky operacion çoi në protesta të dhunshme të serbëve. Në përplasjet mes tyre e Policisë, 20 vetë u lënduan, edhe policë. Tensionet e javës së kaluar pasuan ato të muajit shtator kur veriu i Kosovës u bllokua nga serbët, në shenjë proteste për vendimin e 20 shtatorit të qeverisë Kurti që të zbatohet reciprociteti i targave me Serbinë. Më 30 shtator, palët gjetën dakordësi në Bruksel.

Çështja e gazsjellësit

Tërheqja e Qeverisë së Kosovës nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC) ka hasur në kundërshtime nga partitë opozitare.

Deputeti i Lidhjes Demokratike, Driton Selmanaj:

Kemi bindjen e plotë që një vendim i tillë dëmton rëndë interesat tona shtetërore dhe ato gjeostrategjike të miqve tanë ndërkombëtarë, me theks të veçantë SHBA-ve. Nëse qeveria nuk e rishqyrton urgjentisht vendimin e saj të gabuar, Kosova mund të përfundojë si shteti i vetëm në rajon pa akses në gaz e me pozitë tejet të vështirë në rrugën e njohjeve ndërkombëtare.

Nga MCC-ja pati një reagim:

MCC-ja mirëpret që të vazhdojë partneritetin me Qeverinë e Kosovës, ndërsa ne punojmë për të ulur varfërinë dhe nxitur rritjen e qëndrueshme e gjithëpërfshirëse ekonomike.