Aktualitet Politikë

Opozita në Kuvend: Nuk ka paketë antikrizë!

Sot në seancë plenare, deputetja demokrate Jorida Tabaku, tha se “ndryshe nga sa deklaron qeveria, nuk ka paketë antikrizë”.

Sa herë ka një krizë kjo qeveri fillon dhe ankohet. Nuk mund të ndodhë ndryshe edhe këtë herë. E ka fajin opozita për çdo gjë në këtë vend, edhe pse ka 8 vite në opozitë. Kryeministri flet për ndërtimet pa leje, sikur do t’i prishë këto ndërtime të lejuara po nga këta. Rama tha se këtë vit qeveria shqiptare nuk ka paketë, por është ndryshim normal buxheti. E gjitha është 50 milion euro. Dikush t’i shpjegojë këtij se indeksimi lidhet me normën e inflacionit. Çmimet janë rritur nga 7.5 deri në 29% për disa produkte.

Pse nuk diskutojmë sot për një paketë si të gjitha vendet e tjera? Gjermania ka paketë mbështetëse 65 miliardë euro. Të tjera vende vendosën çmim tavan për energjinë. A e dëgjuat të flasë për klubin e oligarkëve? A e dëgjuat të flasë për fermerët? Të gjitha janë politika normale. Vetë e pranoi që “nuk ka paketë”. Nuk përfiton në mënyrë të qëndrueshme asnjë grup. Si mund të rrisësh pagën minimale e të mos ndihmosh biznesin të cilit i shtohet kosto shumë e madhe në kohë krize.

Fatkeqësisht, mbi 35% e familjeve shqiptare nuk e përballojnë dot çmimin e energjisë. 16.2% janë vjedhjet në rrjet. 60% e energjisë elektrike është prodhuar nga privatët. Çfarë ka bërë qeveria shqiptare për diversifikimin e prodhimit të energjisë? Po, një park fotovoltaik.

Sot diskutojmë përsëri sikur të jemi 8 vite më parë e sikur të kishim qeverisur ne këto kohët e fundit. Askush nuk flet për kompanitë e karburanteve që janë përfituesit kryesorë të rritjes së çmimeve. Kemi një bord antikushtetues që vendos çmimet.

Sot diskutojmë për kafshatën. Bëhet fjalë për një rritje 500 lekë për pensionistët, për të kompesuar rritjen deri në 29% të produkteve të shportës. Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë për t’u përballur me krizat.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj iu përgjigj akuzave të deputetes Tabaku.

Këtë refren akuzash do ta dëgjojmë sa kohë që ju nuk dini as të lexoni, as të dëgjoni. Flisni për shifra mbështetëse që nuk e di ku i gjeni, por shifra është 43 miliardë lekë deri tani. Do ta shihni se paketa që kemi marrë është e duhura. Qytetarët shqiptarë janë mësuar më gënjeshtrat tuaja, që jeni mësuar me ulje taksash e rritje rrogash, ku matematika e thjeshtë nuk ju del!