Aktualitet Politikë

Opozita për satelitët: Shpërdorim i taksave të qytetarëve!

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku akuzon kryeministrin Edi Rama se “i kërkon shqiptarëve të bëjnë sakrifica, ndërkohë që vetë shpërdoron taksat”.

Në një postim në Twitter, Tabaku shkruan se “Edi Rama ka premtuar satelitë për të verifikuar ndërtimet pa leje”.

Çudi si na duhet 150 km mbi tokë për të parë diçka që dallohet lehtësisht mes Tiranës. Justifikim cinik për tenderin me vlerë 5.7 mln € në këtë kohë, kur i kërkon shqiptarëve sakrifica dhe vetë shpërdoron taksat e tyre!

Shërbimi satelitor mundëson monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, me teknologji të avancuar. Kryeministri Rama deklaroi:

Me satelitët nuk do të ketë më mundësi të ndërtohen kate pa leje, pa u vënë re në momentin kur sapo nisin, sepse satelitët kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur mbi sipërfaqen e tokës. Me satelitët, ne do të kemi mundësi të monitorojmë të gjitha të mbjellat e do të jetë e lehtë, shumë më e lehtë të themi, se nuk ka gjë të lehtë fare, por për Ministrinë e Bujqësisë do të jetë shumë më e lehtë që të identifikojë vërtetësinë e të gjitha vet-deklarimeve që lidhen me nevojën për të subvencionuar naftën dhe me sasinë e të mbjellave në territor. E njëjta gjë dhe për plazhet, e njëjta gjë për pyjet, e njëjta gjë për lumenjtë. Shumë shpejt do të pasohen nga dronët, që me zhvillimet e reja, ne kemi vendosur t’i kompletojmë dhe t’i marrim dronë të armatosur. Natyrisht, dronët e armatosur janë për rast ekstrem, kundër terrorizmit apo një armiku potencial.