Bota

Optimizmi për marrëveshje Rusi-Ukrainë, tregjet europiane në rritje!

Pushtimi rus i Ukrainës, rreth tre javë më parë, nuk arrin të ndalë jetën në vend. Që nga fillimi i luftës, më 24 shkurt, Ministria ukrainase e Drejtësisë raporton për 10 mijë e 683 çifte të martuar e të paktën 10 mijë e 767 të porsalindur.

Lufta në vend vazhdon, por jeta nuk ndalet. Ne vazhdojmë të punojmë për ju edhe në kushte lufte!

Prokurorja e Përgjithshme ukrainase, Iryna Venediktova tha sot se “103 fëmijë janë vrarë deri tani”.

Forcat ruse kanë goditur më shumë se 400 institucione arsimore, 59 prej tyre u shkatërruan.

Tregjet europiane të aksioneve rritën kuotimet, të stimuluara nga rimëkëmbja në tregjet aziatike dhe nga informacionet mbi ecurinë e negociatave mes Rusisë e Ukrainës. Bisedimet rifilluan sot mes optimizmit të shprehur nga palët dhe vendimit monetar të Bankës Qendrore Amerikane.

“Do të duhet pak kohë që bisedimet me Rusinë të përfundojnë në interes të Ukrainës”, – deklaroi sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në një fjalim video. “Takimet vazhdojnë. Siç e kuptoj unë, qëndrimet në negociata duken më realiste. Megjithatë, ka ende kohë që vendimet të jenë në interes të Ukrainës”, – theksoi Zelensky.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov sheh shpresë mbi një kompromis të mundshëm në negociatat mes Moskës e Kievit për t’i dhënë fund luftës. Lavrov i tha gazetës së përditshme ruse, RBK, se ai besonte se tashmë kishte qëndrime për të cilat palët “janë afër marrëveshjes”. “Edhe pse bisedimet duken të vështira, ka njëfarë shprese për të arritur kompromis”, – shtoi Lavrov.

Në një vlerësim të përditshëm të gjendjes së pushtimit rus, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar shprehet se “forcat e Moskës po përpiqen të ruajnë ritmin e përparimit të tyre në të gjithë Ukrainën”. Në analizën e postuar në Twitter, zyrtarët britanikë të sigurisë vlerësojnë se “trupat ruse kanë vështirësi që të kapërcejnë sfidat e paraqitura nga terreni, që i ka kufizuar në rrugët dhe autostradat e Ukrainës”.

Shkatërrimi i urave nga forcat ukrainase ka luajtur një rol kyç në pengimin e përparimit të Rusisë.

Ndërkohë, Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss i tha BBC-së se “është skeptike për bisedimet e paqes Moskë-Kiev”.

Unë jam skeptike në lidhje me bisedimet e paqes përderisa Putin ende është duke bërë luftë në Ukrainë. Ai duhet të zbatojë një armëpushim dhe të tërheqë trupat ruse, që ato bisedime të paqes të merren seriozisht!

Më tej, përsëriti akuzat ndaj shefit të Kremlinit se “shkatërroi sigurinë europiane” dhe “ka përdorur armë e forcë të tmerrshme në pushtimin e Ukrainës”.

Një nga mënyrat si Putin financon luftën e tij është përmes të ardhurave nga nafta dhe gazi e natyrisht nuk po them se jemi dakord me çdo politikë të Arabisë Saudite ose Emiratet e Bashkuara Arabe, por ato nuk përbëjnë një kërcënim për sigurinë globale ashtu siç përbën Vladimir Putin.

Truss shtoi se “Ai është kërcënimi i vërtetë me të cilin përballet bota dhe duhet ndalur me çdo kusht!”.