Aktualitet Travel

Organizata Botërore e Turizmit: Shqipëria e para në botë për rritjen e fluksit të turistëve!

Shqipëria është destinacioni turistik me performancën më të mirë në rritjen e fluksit të turistëve. Kjo sipas përfundimeve të Organizatës Botërore të Turizmit, UNWTO. Referuar listës së klasifikimit të publikuar në rrjetet sociale nga kryeministri Edi Rama, vendi ynë kryeson me një rritje prej 18% gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti.

Shqipëria radhitet e para nga Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO) si destinacioni me performancën më të mirë në rritje të flukseve turistike, krahasuar me vitin 2019.

Kujtojmë se 2019-ta ishte edhe viti para pandemisë koronavirus që në kuadër të masave për ta luftuar, u shoqërua me kufizime të udhëtimeve.

Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, pas Shqipërisë, në renditje vijohet me St.Marteen me 16% rritje të turizmit, gjithnjë në terma fluksesh. Më tej, vazhdohet me Etiopinë, Hondurasin, Andorrën, Porto Rikon, Republikën Domenikane, Curaçaon, Kolumbinë, El Salvadorin, si dhe Islandën. Nga muaji janar e deri në shtator të këtij viti, rezulton se vendin tonë e vizituan rreth 6.4 milion turistë të huaj.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare, Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë apo Sarandë. Përveç shqiptarëve, këto plazhe frekuentohen edhe nga shtetas të huaj që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të sezonit të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, e jo vetëm janë kthyer në destinacione të kërkuara për turizmin historik e kulturor.

Po ashtu, vendi ynë ka avantazhimin e turizmit gjithëvjetor, për shkak të relievit që ofron mundësi për turizëm nga rajoni i jugut e deri në veri të territorit shqiptar. Fshatrat turistikë të veriut të vendit, së fundmi njohin numra të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës. Ndër të tjera, Shqipëria ka edhe lumenj të shumtë, laguna e parqe kombëtare, të cilat thithin turistë nga e gjithë bota.