Aktualitet

Organizonin lotari të palejuara, dy të arrestuar në Tiranë!

Policia e Tiranës arrestoi dy shtetas, ndërsa dy të tjerë u proceduan penalisht në kuadër të operacionit të koduar “Game over” për goditjen e paligjshmërisë, në fushën e lojërave të fatit.

Sipas policisë u arrestuan në flagrancë shtetasit S. Xh., 56 vjeç, banues në Tiranë, pronar i një lokali në rrugën “Muhamet Deliu”; F. S., 48 vjeç, banues Tiranë, pronar i një lokali në rrugën “Tre Dëshmorët”, gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit Xh. A., 20 vjeç, dhe S. S., 17 vjeç, banues në Tiranë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasit S. Xh., dhe F. S., kishin përshtatur lokalet e tyre, për organizimin e lotarive të palejuara, dhe gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, shtetasit S. Xh., F. S., Xh. A., dhe S. S. u kapën në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet basteve sportive.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 aparate celulare dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e palejuar. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.