Bota

Origjina e COVID-it, inteligjenca amerikane ka në duar 22 mije dokumente sekrete!

Agjencitë amerikane të Inteligjencës po gërmojnë në një thesar të dhënash gjenetike që mund të jenë çelësi për të zbuluar origjinën e koronavirusit. Sipas CNN-it, prej kohësh ato po kërkohen mes 22 mijë kampionëve të virusit që studioheshin pranë Institutit të Virologjisë në Wuhan të Kinës e nuk përjashtohet mundësia që të hedhin dritë mbi variantin e daljes aksidentale nga laboratori.

Ende nuk është e qartë si arritën agjentët amerikanë të kenë akses në mijëra informacione por pajisjet e përfshira në krijimin dhe përpunimin e të dhënave gjenetike të virusit, zakonisht janë të lidhur me servera të jashtëm që mund të depërtohen. Deshifrimi nuk është diçka e lehtë pasi janë në dialektin mandarin, i përdorur në veri e jugperëndim të Kinës e duhet një ekspert kinez i besuar për të ndihmuar.

Gjithnjë sipas CNN-it, të dhënat që tashmë janë në duart e amerikanëve, u hoqën në internet nga funksionarë kinezë, në shtator të 2019-ës. Prej asaj kohe, Kina refuzon që Organizatës Botërore të Shëndetësisë apo Amerikës, t’i dorëzojë ato e të tjera informacione mbi rastet e para të koronavirusit.

Por puna e madhe që po zhvillohet mund të mos jetë e mjaftueshme për të përcaktuar përfundimisht nëse virusi e kishte origjinën në laboratorin e Wuhan-it apo shpërtheu në mënyrë natyrore.

Kujtojmë se në maj të këtij viti, presidenti Joe Biden i dha 90 ditë kohë shërbimeve sekrete, që të dalin me një raport për origjinën e COVID-it.
Pekini nuk po qëndron indiferent ndaj këtyre zhvillimeve.

Global Times që publikohet në gjuhën angleze e përfaqëson qëndrimin zyrtar të qeverisë kineze, kritikon Shtetet e Bashkuara për atë që e cilëson “përpjekje për të ngritur gënjeshtra mbi laboratorin e Wuhan-it që të tregojë se aty e kishte origjinën COVID”-i.

Kjo është gënjeshtër gjigante pasi Instituti i Virologjisë së Wuhan-it e ka përsëritur vazhdimisht pafajësinë e tij ndërsa ekipi i ekspertëve të OBSH-së e cilësoi “krejtësisht të pamundur” daljen e virusit nga laboratori. Në një përpjekje për të përmbysur këto përfundime, Shtetet e Bashkuara ngrejnë pengesa, bazuar në mungesë provash. Shpresat e Shteteve të Bashkuara për të goditur Kinën përmes gënjeshtrash nuk do të përmbushen asnjëherë!