Bota

Origjina e COVID-it? Mund të mos mësohet kurrë, por nuk ishte armë biologjike!

Origjina e koronavirusit të ri që shkaktoi sëmundjen COVID-19 mund të mos zbulohet kurrë. Kjo paralajmërohet në një raport të agjencive amerikane të inteligjencës. Por, dolën në përfundimin se virusi nuk u krijua si armë biologjike.

Në një vlerësim të përditësuar për origjinën e COVID-it, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-ve i cilëson “të besueshme” të dyja teoritë: transmetimin nga kafsha te njeriu dhe daljen nga një laborator, vetëm se “nuk ka informacion të besueshëm për një vlerësim përfundimtar”. Të dhënat u bënë publike në një raport të deklasifikuar, përditësim i një dokumenti, të cilin administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e publikoi në muajin gusht. Komuniteti i Inteligjencës mbetet i ndarë për origjinën e virusit.

Katër agjenci kishin “besim të ulët” se koronavirusi doli nga një kafshë e infektuar. Një tjetër shprehu “besim mesatar” se infektimi i parë mes njerëzve ka shumë të ngjarë të ishte rezultat i një aksidenti laboratorik, ndoshta duke përfshirë eksperimentimin ose trajtimin e kafshëve nga Instituti i Virologjisë në Uhan të Kinës.

Zyrtarët kinezë nuk ishin në dijeni të ekzistencës së virusit përpara shpërthimit fillestar të COVID-it në Uhan, në fund të vitit 2019. Por, sipas gjetjeve të Inteligjencës amerikane, Kina vazhdoi të pengonte hetimin e të mos ndante informacione. Autoritetet kineze e lidhën përhapjen e koronavirusit me një treg ushqimesh në Uhan, duke bërë që shkencëtarët të nxjerrin teorinë se kaloi nga kafshët te njerëzit.

Megjithatë, në fillim të këtij viti, mediat amerikane publikuan raporte që pranonin se ekzistojnë prova se virusi mund të kishte dalë nga laboratori në Uhan, ndoshta si pasojë e një aksidenti. Në muajin maj, presidenti Biden urdhëroi zyrtarët e shërbimeve sekrete, të hetojnë mbi origjinën, përfshirë teorinë e daljes nga laboratori, variant i kundërshtuar nga Pekini. Ambasada kineze në Uashington i tha agjencisë “Reuters” se “përpjekjet amerikane që për origjinën e COVID-19 të mbështetet në aparatin e saj të inteligjencës, në vend të shkencëtarëve, janë farsë politike”. Nga marsi i vitit 2020, rreth 240 milion raste me COVID-19 janë konfirmuar në mbarë botën, si dhe afro 5 milion vdekje.