Bota

Origjina e koronavirusit, Kina: “Kërkojeni në vende të tjera!”

Kina refuzoi planin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për hetime të reja mbi origjinën e koronavirusit.

Pak ditë më parë, OBSH-ja propozoi një fazë të dytë të hetimeve që do të përfshinin auditim të laboratorëve dhe tregjeve në Wuhan, qytetin ku koronavirusi u shfaq për herë të parë.

Zeng Yixin nga Komisioni Kombëtar Shëndetësor:

Ne nuk do të pranojmë një plan të tillë të hetimit të origjinës, pasi në disa aspekte, sfidon shkencën!

OBSH-ja ka përfunduar fazën e parë të hetimeve në Wuhan, në muajin shkurt. Në atë kohë u konstatua se nuk ka shumë gjasa që koronavirusi të ketë dalë nga Laboratori i Virologjisë dhe se ai mund ta ketë origjinën nga lakuriqët e natës. Disa vende dhe shkencëtarë nuk mbetën të kënaqur me përfundimet e kërkuan hetime të tjera.

Në maj, presidenti Joe Biden kërkoi nga agjencitë amerikane të Inteligjencës, që brenda tre muajsh t’i raportojnë nëse koronavirusi e ka burimin te kafshët apo nga ndonjë aksident laboratorik.

Zeng kërkoi nga OBSH-ja t’i zgjerojë përpjekjet e kërkimit të origjinës së koronavirusit përtej Kinës, në vende të tjera. Në mars të 2020-ës, OBSH-ja e shpalli pandemi koronavirusin që deri tani ka prekur rreth 192 milion njerëz, mbi 4.1 milion kanë ndërruar jetë.

Ndërkaq, gjasat janë që pandemia koronavirus të ketë efekte afatgjata në shëndetin mendor në të gjithë botën. Kjo theksohet në një raport të ri të zyrave europiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Shenjat psikike janë pasojë e infektimit e frikës nga infektimi, si dhe nga bllokimet e vetizolimi që shumë vetë kanë zgjedhur, në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e sëmundjes.

Gjithashtu, shqetësimet në lidhje me papunësinë, të ardhurat financiare e izolimin shoqëror mund të çojnë në një rënie të shëndetit të përgjithshëm mendor.