Art & Kulturë

“Orwell’s Roses” nga Rebecca Solnit. Kritikë.

Trëndafila, kënaqësi e politikë; një shikim i ri i shkrimtarit të mirënjohur George Orwell si një kopshtar i përkushtuar. Shkrimet e tij politike në fakt buronin nga pasioni i tij për natyrën. Margaret Atwood shkruan për librin:

E dashurova këtë lexim të zhurmës emocionuese të jetës dhe kohëve të Orwellit.

Frymëzuar nga takimi i saj me trëndafilat që i mbijetuan kohëve kur ai i mbolli dhe u kujdes për to në shtëpizën e tij në Hertfordshire, Rebecca Solnit lëvron mes kujtimeve, dokumenteve të shkruara të Orwell dhe bashkëkohësve të tij si edhe trashëgimtarëve për të treguar pasionin e tij për kopshtarinë, kryesisht lulet si edhe lidhjet e këtij pasioni në ndërtimin e shpirtit të një shkrimtari dhe anti-fashisti që ndërlidhte politikën me nyjet e pushtetit dhe natyrës.

Veç punës, ajo që dua më shumë është kopshtaria – George Orwell

Varri i Orwell në fshatin e Sutton Courtenay në Oxfordshire

Solnit ndjek Orwell këmba këmbës prej minierave të anglisë, në shërbimin e tij në luftën civile në spanjë; nga kritikat e vazhdueshme në publicistikë të Stalinit tek analiza briliante që ai i bënte lidhjes së gënjeshtrave dhe autoritarizmit. Solnit tregon një Orwell disi më të lumtur, i dhënë mbas natyrës në mënyrë fort genuine. Në dialogun e saj me shkrimtarin, ajo udhëton përmes trashëgimisë së kopshteve të famshme të kohëve koloniale, zbulon fotografitë domethënëse të trëndafilave të Tina Modotti-t, shfaq fiksimin e Stalinit me rritjen e pemëve të limonit në kushte të të ftohtit arktik dhe ekspozon industrinë brutale të trëndafilave komercialë në Kolumbi.

Një qasje e freskët ndaj kolosit të shekullit të 20-të, një lexim i cili rroket të gjejë ngushëllim dhe zgjidhje për kohët që po jetojmë, “Orwell’s Roses” është një reflektim mbi kënaqësinë, bukurinë dhe gëzimin si akte qëndrestarie.

Shtëpia në Wallington, Hertfordshire, ku George Orwell ndërtoi kopshtin e trëndafilave

“Orwell’s Roses” (Trëndafilat e Orwellit) është dhe nuk është një libër për George Orwell. E njëjta gjë mund të thuhet për trëndafilat. Autorja lundron me elegancë nëpër tema që lidhen sporadikisht me njëra tjetrën duke e futur librin në një kategori krejt të vetën. Rrënjët i ka tek historia e mbjelljes së trëndafilave nga shkrimtari dhe mendimtari politik George Orwell në 1936, në kopshtin e shtëpisë së tij në Hertfordshire, aty ku Rebecca Solnit shkel tetë dekada më vonë, duke zbuluar se trëndafilat (vështirë të provohet se janë të njëjtët me ato që mbolli Orwell) vazhdojnë të çelin gonxhe të reja, duke lidhur ngushtësisht të shkuarën me të tashmen.

Rebecca Solnit

Domethënia e kopshtarisë në jetën dhe veprimtarinë e një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shekulllit të 20 [e 21] lidhet me domethënien e kësaj veprimtarie gati idilike në jetën e çdo kopshtari apo njeriu që jetën e ka të lidhur ngushtë me natyrën; bukuri e të sotmes, shpresë e të nesërmes, dëshirë për të krijuar diçka që ngel për brezat që do të vijnë. E sikur të mos mjaftonin këto, libri i bën jehonë të vazhdueshme por jo prepotente, politikës.

Të mbjellësh një pemë tani, do të thotë të ndryshosh të ardhmen, sepse ajo do të jetë aty edhe pasi ti mund të jesh tretur nën të. Vite mbas lulëzimit të trëndafilave të tij, Orwell e gjen veten në mes të luftës civile në Spanjë. Ndërsa ato çelnin, vyshkeshin e çelnin sërish, njësoj si cikli i jetës, bota do të përjetonte disa prej viteve më të vështira (Luftën e Dytë Botërore). Kopshte si ato do t’i duhen gjithmonë njerëzimit në përpjekje për të lehtësuar dhimbjen dhe agoninë e humbjes së të dashurve e dashurisë.

Trëndafilat e historisë së Solnit, sidoqoftë, nuk simbolizojnë vetëm të përjetshmen, por edhe gëzimin, lehtësinë dhe kënaqësinë sensuale që përcjellin, dhe kjo duket qartë edhe në punën e një njeriu që suksesin e gjeti me zor të madh, e që bëri një jetë tejet të vështirë.

Edhe në shkrimet e tij më të errëta, ai gjente kohë për momente bukurie

Lexuesit e kohës së Orwellit sidoqoftë nuk ishin fort dakord me këndvështrimin e tij për lulet. Në ballafaqimin e fortë ideologjik mes socializmit dhe kapitalizmit një grua dikur i shkruan në gazetën “Tribune” se “Lulet janë për borgjezët”; diçka që nuk do të tundte qëndrimin e Orwell për kopshtarinë. Ama diçka në të gjithën këtë është e vërtetë: Trendafilat kanë gjëmba – dhe Solnit sigurohet gjatë librit të tregojë se si për shembull prodhimi masiv komercial i tyre në Kolumbi është një nga gjërat më të trishta që mund të mësosh për botën ku jetojmë sot.

George Orwell

Edhe pse jo të gjitha lidhjet që autorja bën përgjatë librit janë të suksesshme, më mbetet të them që është një prej librave më interesantë që kam lexuar. Me mjeshtëri të lartë është arritur të flitet për njeriun mbas veprës dhe gjërat që e bënin atë personin që ishte, po aq sa për një lule e cila simbolizon dashurinë duke personifikuar jetën dhe vdekjen në ketë simfoni të ëmbël e të hidhur njëkohësisht.