Rajoni

Osmani për sulmet në veri: Autorët të dalin para drejtësisë!

Presidentja Vjosa Osmani kërkoi që autorët e sulmeve ndaj gazetarëve, oficerëve policore dhe trupave të NATO-s në komunat veriore duhet të përballen me drejtësinë.

Gjithashtu, kryetarja e shtetit kërkoi që sulmet e tilla të dënohen nga të gjithë.

“Strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët. Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiçit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi Osmani në rrjete sociale.

Gjatë shpërndarjes së protestuesve serbë, në veri, ushtarët e KFOR-it janë sulmuar me dhjetëra shok-bomba, mjete të forta dhe lëndë tjera djegëse.

Protestuesit kanë djegur edhe veturën e KFOR-it, në të cilën më herët kishin shkruar shkronjën Z, që është edhe simbol i rusëve në Ukrainë.

Ushtarët e KFOR-it kanë ndërhyrë në Zveçan, duke shpërndarë protestuesit serbë, me përdorimin e gaz-lotsjellës dhe molotovë.

Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes thuhet se ka pasur të shtëna me armë, janë hedhur granata nga serbët, ndërsa policia ka tentuar të shpërndarë turmën me gaz lotsjellës. Pas këtij reagimi protestuesit kanë gjuajtur sende të forta në drejtim të ushtarëve, por sipas KosovaPress ka të lënduar dhe është djegur edhe një automjet.

Qytetarët serbë kanë përshkallëzuar protestën në Zveçan gjatë pasdites, duke rrezikuar forcat policore dhe ekipet e medias që po raportojnë nga vendngjarja.