Rajoni

Osmani takon Macron, Scholz dhe Borrell: Bashkëpunimi me partnerët është kyç

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot në Moldavi presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe përfaqësuesin e lartë për politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Osmani ka bërë të ditur se me Scholzin, Macronin dhe Borrellin kanë diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon dhe për përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.

“Në këtë kohë përcaktuese për sigurinë në rajon e Evropë, bashkëpunimi me partnerët tanë është kyç. Së bashku me Presidentin Emmanuel Macron dhe Kancelarin Olaf Scholz, si dhe me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, diskutuam zhvillimet e fundit në Kosovë dhe angazhimin e përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet”, shkroi Osmani në Twitter.


Tensionet në veri të Kosovës u rritën më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Më 29 maj, nga përleshjet midis protestuesve serbë që kundërshtojnë kryetarët dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan – 30 ushtarë mbetën të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues.