Art & Kulturë

“Otello” i Ben Blushit përkthehet në greqisht; libri parashikim i aktualitetit

“Otello, Arapi i Vlorës”, me autor Ben Blushin, një nga veprat më të mira të letërsisë bashkëkohore shqipe, tashmë mund të lexohet edhe në greqisht. Në ceremoninë e shpalljes së fituesve të Fondit të Përkthimit për këtë vit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Fondin e Përkthimit, drejtoresha e kësaj Qendre, Alda Bardhyli deklaroi:

Shtëpia Botuese “Vakxicon” sapo na ka njoftuar për botimin në greqisht të “Otello, Arapi i Vlorës”, nën përkthimin e Yorgos Goumas, vepër e cila, një vit më parë, u vlerësua nga ekspertët dhe juria e ngritur pranë QKLL-së.  Romani është pritur me interes nga lexuesit grekë, pas suksesit që pati në gjuhën italiane.

Bardhyli i bëri komentet në prani të Ministres së Kulturës, Elva Margariti.

“Vakxicon” e cilëson Blushin si një prej autorëve më të rëndësishëm të Ballkanit, me një vepër që na çon pas në kohë, në vitet 1300-1400 në dy qendra urbane të njohura të kohës së Mesjetës, në Venedik dhe Vlorë, duke na rrëfyer me një gjuhë magjepsëse marrëdhëniet politike e tregtare, në një sfond që kërkon t’i flasë lexuesit të sotëm.

Blushi i jep një tjetër jetë Otellos, duke e zhvendosur në Vlorë. Vepra shihet dhe si një parashikim i kohës në të cilën po jetojmë, që autori bën përmes letërsisë, me anë të personazhit të mjekut Stefan Gjika. Me motivet e dashurisë në sfond të kësaj historie, Otello kthehet në një prej veprave më të rëndësishme të kohës.

Kjo është një prej 6 veprave që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mbështeti vjet për t’u botuar në gjuhë të tjera.

Mbështetja e librit shqip në gjuhë e kultura të tjera është prioritet i Qendrës, jo vetëm përmes këtij fondi, por edhe përmes një sërë ko’operimesh ndërkombëtare”.

13 shtëpi të huaja aplikuan këtë vit në Fondin e Përkthimit hapur nga QKLL-ja. Juria, e kryesuar nga Diana Kastrati, e në përbërje të së cilës ishin përkthyesi Ben Andoni dhe dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Esmeralda Kromidha, vlerësoi 6 prej tyre për t’u mbështetur këtë vit, si pjesë e Fondit të Përkthimit si më poshtë:

“Shtëpia Botuese – Autori – Vepra – Përkthyesi – Gjuha e përkthyer”

1.   Eurasia 1618 LP, Arjan Leka, “Hartë memece për të Mbyturit”, Andrea Zarballa, Greqisht.

2. Fauves Éditions, Zija Çela, “Djalli Komik”, Sebastien Gricourt, Frëngjisht.

3. Ginger Ape Book, Rudi Erebara, “Epika e Yjeve të Mëngjesit”, Maria Roces Gonzalez, Spanjisht.

4. Besa Muci, Tom Kuka, “Gurët e Vetmisë”, Valentina Notaro, Italisht.

5. Besa Editrice, Bashkim Shehu, “Udhëkryqi dhe Humnerat”, Mirela Alushi, Italisht.

6. Grammata, Natasha Lako, “Qiell Europe”, Petro Çerkezi, Greqisht.

Margariti dhe drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, shprehën rëndësinë e vazhdimësisë së këtij Fondi për mbështetjen e letërsisë shqipe në gjuhët e huaja.