Rajoni

Pa incidente, Beogradi zhvilloi Paradën e Krenarisë!

Me slloganin: “Dashuria është ligj”, pjesëtarë të komunitetit LGBT+ në Beograd, zhvilluan Paradën e Krenarisë për këtë vit. Qindra persona marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit serb, duke kërkuar që të miratohet ligji, i cili iu mundëson pjesëtarëve të këtij komuniteti, të regjistrojnë martesat.

Organizatorët thanë se “Qëllimi i Paradës së këtij viti ishte rritja e vetëdijes për rastet e dhunës dhe diskriminimit kundër anëtarëve të LGBT+”. Aktivistët marshuan para selive të Qeverisë dhe Parlamentit, në të parën Paradë të Krenarisë të mbajtur në Beograd, që nga koha e shpërthimit të pandemisë koronavirus.

Pjesëmarrësit respektuan masat anti-COVID. Pjesë e organizimit ishin personat me certifikatë të vaksinimit kundër koronavirusit, test negativ apo dëshmi se kanë kaluar sëmundjen COVID-19 në gjashtë muajt e fundit. Po ashtu, të pranishmit kishin akses në testet e shpejta.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin Komisionerja për Mbrojtjen e Barazisë, Brankica Jankoviç, ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey dhe shumë diplomatë nga vende të Bashkimit Europian.

Prej vitit 2014, Paradat e Krenarisë janë organizuar pa incidente në Serbi, ndonëse nën masa të rrepta të sigurisë. Policia serbe bllokoi grupet e krahut të djathtë që t’i afroheshin vendit ku u mbajt parada.