Rajoni

Pa incidente, Bosnja mbajti Paradën e Krenarisë, në mbështetje të LGBT+!

Qindra qytetarë marshuan në Sarajevë, në të tretën Paradë të Krenarisë në kryeqytetin boshnjak, në mbështetje të komunitetit LGBT+. Nuk u raportuan episode dhune, kjo edhe për shkak të pranisë së shtuar policore.

Agjentët bllokuan rrugët kryesore të Sarajevës për të shmangur përplasjet e mundshme fizike me ata që kundërshtonin mbajtjen e Paradës në vendin ballkanik, i ndarë etnikisht dhe i njohur si gjerësisht konservator.

Organizatorët thanë se pjesëtarët e komunitetit LGBT+ janë diskriminuar edhe më shumë që prej fillimit të pandemisë koronavirus, që në Bosnje ka shkaktuar rreth 10 mijë viktima.

Ne po rezistojmë dhe po themi se mjaft është mjaft! Pandemia solli më shumë dhunë. Na ka mbyllur në katër mure, në rrethin e dhunës në familje. Koha është që të themi mjaft!

Ne, lesbiket, gay-t, biseksualët, transgjinorët, po dalim në rrugë sepse kufizimet e pandemisë janë realiteti ynë i përditshëm. Vitin e kaluar, të drejtat e liritë tona janë përkeqësuar edhe më tej.

Pjesëmarrësit në Paradën e Krenarisë kërkojnë të miratohet ligji për partneritet mes gjinisë së njëjtë dhe t’i jepet fund diskriminimit të komunitetit LGBT+ në Bosnje.

Dhjetëra kundërshtarë të LGBT+ mbajtën tubimet e tyre në Sarajevë, duke thënë se duan të mbrojnë vlerat tradicionale të shtetit kundër asaj që e cilësojnë “ideologji agresive të komunitetit LGBT+”.