Aktualitet Lifestyle

PAA vendos, e vetme në garën për zgjedhjet vendore të vitit 2023!

Partia Agrare Ambientaliste do të futet në garën për zgjedhjet vendore të vitit 2023 jashtë koalicioneve politike.

“Kryesia e kësaj partie vendosi që në këto zgjedhje PAA të prezantojë filozofinë dhe identitetin e saj, si një parti me fokus agrar e mjedisor”, shprehet kryetari I kësaj partie, Agron Duka.

Sipas tij, PAA është në një fazë riorganizimi dhe në vjeshtë ajo do të fillojë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për këshillat bashkiakë.

“Ne jemi të vetëdijshëm për situatën politike në vend. Një dominancë absolute dhe arrogante në nivel vendor, nga mashoranca socialiste dhe një opozitë tërësisht e destabilizuar nga ana organizative si pasojë e luftës së brendshme, e bëjnë mjedisin politik shumë të papërshtatshëm dhe jo të qetë për votuesit.

Megjithatë, PAA do të vazhdojë të mbetet një parti opozitare, dhe me program e platformë tërësisht në interes të qytetarëve.

PAA, paralelisht me riorganizimin e strukturave, po riorganizon edhe programin e saj, duke mbetur një parti e spektrit të gjelbërt, me objektiva të qartë në mbrojtjen dhe rigjenerimin e mjedisit, marrjen e masave për t’iu përshtatur ndryshimeve të klimës, mbështetjen konkrete të fermerëve, jashtë skemave subvencionuese propagandistike. Ne do të projektojmë në programin tonë jo thjeshtë mbështetjen e mbijetesës apo lëmoshës, por krijimin e mekanizmave që modernizojnë bujqësinë, rrisin prodhimin, standardet e cilësisë dhe eksportimin e prodhimit.

PAA do të jetë e hapur për të koordinuar apo bashkëpunuar me lëvizje të reja, apo forca të reja politike që do të debutojnë në një garë elektorale, për të mbledhur bashkë mendime të ndryshme, forca të reja, ide novatore dhe njerëz të ndershëm, idealistë dhe atdhetarë”, shkruan Duka.