Politikë

Padia për emërimin e ministrave, sot përballja e parë Rama-Meta në Kushtetuese

Sot do të jetë përballja e parë e presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama në Gjykatën Kushtetuese.

Përballja ishte planifikuar që më 25 mars, por për shkak të infektimit me covid të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese u shty dhe kreu i qeverisë kërkoi të zhvillohej sot në orën 10:00, pa praninë e publikut.

Objekti i kësaj seance plenare është zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit.

Rama kërkon interpretimin e nenit 98 të Kushtetutës pika 1 për të drejtën e emërimit dhe shkarkimit të ministrave. Kjo padi është depozituar nga Rama pas përplasjes me Metën për mosdekretimin e ish-ministrit të jashtëm Gent Cakaj.

Meta në atë kohë refuzoi të dekretojë Cakajn i cili mbajti postin e ushtruesit të detyrës ndërsa Ministër i Jashtëm me dekret ishte vetë Rama. Kjo është përballja e parë e dy liderëve në gjykatë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Çfarë thotë Kushtetuta?

Interpretimi kushtetues i nenit 98, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku thuhet: Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve.

Padia në Gjykatën Kushtetuese

18 Maj, 2021
Kërkues
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Seancë Plenare.
Për shkak të situatës dhe rregullave në fuqi të shkaktuara nga COVID-19, zhvillimi i seancës plenare do të kryhet pa praninë e publikut.
Subjekti i interesuar
Presidenti i Republikës së Shqipërisë; Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
Objekti
Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi kushtetues i nenit 98, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë
Ora 10:00