Aktualitet

Paga mesatare 900 euro, kryeministri Rama: Arritje historike!

“Pagat e reja janë frut i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira”. Në një postim në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama thekson:

Pagat e reja, falë të cilave, paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet, duke arritur majën historike të 900 eurove në 2024, janë frut i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona, rritjeje të të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale, lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana.

Po ashtu, shefi i qeverisë shkruan se “mbi të gjitha, pagat e reja janë frut i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet”. Kryeministri Rama sjell edhe shembullin e mjekes pediatre Shahe Isufaj, paga e së cilës, në maj 2023, shkon në 220 mijë e 300 lekë.

Në përfundim të zbatimit të plotë të reformës, paga mesatare do të shkojë në 900 euro nga 530 që është sot. Reforma nisi këtë prill me rritjen e pagave për mjekët, mësuesit dhe forcat e sigurisë.

Ndërkaq, për punonjësit e sigurisë, nga rritja e menjëhershme e pagave do të përfitojnë 12 mijë e 120 të Policisë së Shtetit e Gardës së Republikës. Rritje të pagave përfitojnë edhe 3 mijë e 566 punonjës të sistemit të Policisë së Burgjeve. Nuk mbeten jashtë rritjes së pagave as punonjësit e PMNZH-ve ku përfitojnë rreth 1 mijë e 200 zjarrfikës. Brenda një viti, qeveria do të vazhdojë me hapin e dytë dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, sistemit të Policisë së Burgjeve e zjarrfikësit do të kenë tjetër rritje page.