Rajoni

Paga minimale në Kosovë, veteranët e UÇK-së sërish në protesta!

Rikthehen protestat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, OVL. Tubimet pasojnë miratimin në parim nga Kuvendi të projektligjit për rritjen e pagës minimale, por ata që kanë luftuar, nuk përfitojnë, ndaj kërkojnë ndryshim, që të përfshihen.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së, Faton Klinaku bëri të ditur se nuk u arrit dakordësi në takimin e tre ditëve më parë me kryeministrin Albin Kurti.

Kurti vazhdon të insistojë në qëndrimet e tij diskriminuese, me tendenca politizuese ndaj çështjes së veteranëve e nuk plotësoi kërkesën tonë që është minimale, jodiskriminim të veteranëve në ligjin për pagën minimale.

Klinaku tha se janë në pritje të propozimeve të reja nga Qeveria dhe Kuvendi.

Pas votimit në parim të projektligjit, kryeparlamentari Glauk Konjufca, pati deklaruar se “Kuvendi ngarkon komisionin funksional e ato të përhershëm, që në afatin e parashikuar në rregullore, të shqyrtojnë projektligjin e të paraqesin raportin me rekomandime”.

Veteranët kanë protestuar para Kuvendit edhe dy herë të tjera këtë muaj, në datat 6 e 16 qershor. Kërkesën e tyre e mbështet opozita, që me bllokimin e foltores e bëri të pamundur zhvillimin e seancës së 16 qershorit, ndonëse atë ditë nuk diskutohej për veteranët e UÇK-së.

Në fjalën e tij në Kuvend, kryeministri Albin Kurti theksoi se “Qeveria ndan rreth 120 milion euro për kategoritë e dala nga lufta” dhe shtoi se “kjo shifër është më e madhe sesa ajo që planifikohet për sigurinë e vendit”.

Pse këto pakënaqësi?

Projektligji i miratuar parashikon rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 neto, nga 130-170 që varion aktualisht në Kosovë. Në rast se drafti miratohet edhe në seancën e radhës, pa iu nënshtruar ndryshimeve të kërkuara, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension mujor në vlerën 170 euro. Ndërsa shprehen se nuk synojnë të ndalin protestat, qeveria nuk e fsheh shqetësimin se listat me emrat e tyre janë të fryra e përmbajnë edhe persona që nuk e meritojnë të jenë pjesë.