Aktualitet

Pagat e pedagogëve, flet ministrja e Arsimit, Evis Kushi!

Këshilli i Ministrave vendosi sot rritjen e pagave për pedagogët e të gjitha universitete publike në vend deri në 15%, ku 7% do të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të paguhet nga vetë universitetet në varësi të të ardhurave të tyre. Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi deklaroi se “deri në 7% i paguan buxheti i shtetit pastaj janë vetë universitetet me senatet akademike dhe bordet e administrimit që mund të miratojnë rrije përtej këtij niveli minimal dhe këtë rritje do ta mbulojnë me të ardhurat e tyre”.

Mbështetja e qeverisë shqiptare për universitetet dhe për pedagogët nuk është vetëm rritja e pagave ka edhe shumë aspekte të tjera duke filluar që nga mbështetja e kërkimit shkencor, infrastrukturës së universiteteve, për të të cilat ne gjatë viteve të fundit e kemi rritur ndjeshëm mbështetjen për universitetet.

Konkretisht e kemi rritur buxhetin për kërkimin shkencor nëpërmjet Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Vetëm në këtë vit e kemi dyfishuar me 79 milionë lekë buxhetin për të mbuluar kërkimin shkencor, që bëjnë vetë pedagogët, pagesë përtej pagës bazë, kemi 250 milionë lekë sa i takon infrastrukturës së kërkimit shkencor, risi ishte buxheti prej 400 milionë lekësh për ndërkombëtarizimin e universiteteve”, ku një pjesë ishte infrastrukturë, laboratorë të kërkimit shkencor për të mbështetur programet e përbashkëta apo të dyfishta, por edhe një pjesë ishte për të mbuluar kostot, pagat e pedagogëve, shkëmbimet që duhen për të realizuar programet e përbashkëta e të dyfishta.

Në muajin maj u miratua marrëveshja 7-vjeçare me Bashkimin Evropian për programin “Horizont Evropa” ku shteti shqiptar paguan një kuotë vjetore prej 160 milionë lekë, e cila është një kuotë për ti dhënë mundësi universiteteve shqiptare që të aplikojnë në programet e BE-së dhe të thithin edhe fonde të tjera përveç fondeve të buxhetit të shtetit.

Performanca e universiteteve tona është rritur ndjeshëm në këto programe. Nga 8% që ishte suksesi i universiteteve shqiptare sot e kemi 38%. Prej majit universitetet shqiptare kanë arritur të thithin rreth 2.1 milion euro dhe parashikimet për periudhën 7-vjeçare është që të kalojë 20 milion euro. Kufirin 15% që vendosëm sot të rritjes, vitin e ardhshëm mund ta rrisim përsëri rrogën e pedagogëve gjithmonë duke respektuar ligjin e Arsimit të Lartë dhe autonominë institucionale që kanë të gjitha universitetet.