Aktualitet

Pagesë për Parkun e Divjakës, banorët përplasen me policinë!

Tensione në protestën e banorëve të Divjakës, të cilët prej katër ditësh kundërshtojnë taksën në hyrje të parkut kombëtar Divjakë-Karavasta. Për të mos lejuar vendosjen e traut e të biletarisë, nuk munguan përplasjet me policinë. Duke vënë në dukje se ndërsa e ruajtën pyllin në vitet e mbrapshta ‘97-98, protestuesit denoncojnë se tani po iu tatojnë edhe ajrin, ndërsa vendimin e quajnë “të padrejtë”.

Me protestuesit ishin edhe përfaqësues të opozitës që paralajmëruan të tjera protesta për të mos lejuar vendosjen e traut.

Qytetarëve i jep të drejtë edhe Erion Braçe. Vendosjen e traut, deputeti socialist e cilëson “projekt totalisht të paligjshëm e të pa’arsyeshëm”, që sipas tij i pengon të aksesojnë plazhin e Divjakës.

Janë 24 km rrugë kombëtare që garantojnë aksesin jo vetëm të divjakasve, por edhe të gjithë të tjerëve për në plazhin e Divjakës. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. E paarsyeshme që një rrugë e tillë kombëtare të bëhet me pagesë. Kjo që po bën Ministria e Turizmit, në bashkëpunim me ARRSH-në është pikërisht vendosja e një takse për të kaluar në rrugë e për të shkuar në det. Eshtë vendosur në mes të rrugës, jo në mes të parkut. Ajo rrugë aty është e vetmja mënyrë që qytetari të mund të aksesojë bregdetin.

Për shkak të protestës së banorëve, punimet për vendosjen e traut u ndërprenë sërish. Referuar vendimit të Ministrisë së Turizmit, çdo makinë që hyn në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, duhet të paguajë 250 lekë, ndërsa ata që janë në këmbë apo lëvizin me biçikletë, 50. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit synon vjeljen e të ardhurave nga zonat turistike.