Rajoni

Pahor: “Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor, domosdoshmëri gjeopolitike!”

Sot nga Serbia, presidenti slloven Borut Pahor bëri thirrje për një përshpejtim në procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor të cilës iu referua si “domosdoshmëri gjeopolitike”.

Në fund të një takimi në Beograd me homologun serb, Aleksandër Vuçiç, Pahor tha se vetëm kështu mund të garantohen në rajon paqja, siguria dhe stabiliteti.

Sipas tij, aktualisht ekzistojnë dy lloje shqetësimesh:

Nga njëra anë, lodhja e BE-së me procesin e zgjerimit dhe nga ana tjetër, në vende të ndryshme të Ballkanit ka një lodhje nga reformat e një humbje të besimit në perspektivën europiane. E gjithë kjo nuk është në interes të BE-së ose të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor!

Sllovenia, Republikë e ish-Jugosllavisë, pjesë e Bashkimit Europian që nga viti 2004, përgatitet të marrë në korrik presidencën 6-mujore të radhës së Këshillit të Unionit. Ljubljana synon të përfitojë nga kjo mundësi për të inkurajuar një përshpejtim të procesit të zgjerimit.