Sport

Pak orë nga përballja e Shqipërisë me San Marinon!

Në Stadiumin “Elbasan Arena”, edhe pak orë e ndajnë Kombëtaren Shqiptare nga përballja e mbrëmjes në 20:45 me San Marinon, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”. Pas fitores së të dielës me Hungarinë, kuqezinjtë janë të karikuar për të ecur përpara. Trajneri Edy Reja paralajmëron për kujdes nisur nga fakti se ka ndodhur shpesh që pas një fitoreje, t’i marrin lehtë ndeshjet.

Ndaj San Marinos do ta kemi të vështirë, pasi është ekip i organizuar. Duhet të kemi përqëndrim e të bëjmë lojë të mirë. T’i lëmë sa më pak hapësira, janë të rrezikshëm.

Ndeshja e parë në San Marino përfundoi me fitoren e pastër 0-2 për Kombëtaren tonë, por paraqitja nuk ishte mbresëlënëse. Kjo do të jetë përballja e 4-rt mes kuqezinjve dhe skuadrës që mban vendin e 209-të në renditjen e FIFA-s. Në tre takimet para’ardhëse erdhën tre fitore për Shqipërinë,  me 8 gola të shënuar e asnjë të pësuar.

Po në 20:45, Kosova ka një përballje mjaft të vështirë ndaj Spanjës. Bernard Challandes e ka të qartë se nuk mund të bësh gjëra të mëdha përballë një ekipi si Spanja, por trajneri zviceran theksoi rëndësinë që ka mënyra si do të mbrohet Kosova dhe faza tranzitore e lojës, nga mbrojtja në sulm. Ndërkaq, përballjen me “Dardanët”, trajneri i Spanjës, Luis Enrique e konsideroi si një nga ndeshjet më të komplikuara të grupit.

Ata do të na e bëjnë jetën të vështirë!

E mërkura e futbollit nuk është vetëm Shqipëri-San Marino dhe Kosovë-Spanjë. Pas dy barazimesh radhazi ndaj Bullgarisë e Zvicrës, Italia kampione e Europës nuk ka rrugë tjetër veç fitores në duelin ndaj Lituanisë në shtëpi.

Vëmendjen më të madhe e merr sfida tjetër e Grupit I mes Polonisë e Anglisë. Gjermania do të tentojë fitoren e tretë radhazi në stol, në transfertën ndaj Islandës. Ndërkohë, Maqedoni e Veriut-Rumani është një sfidë mes dy skuadrave të barabarta në cilësi që luftojnë për vendin e dytë në Grupin J.