Aktualitet

Paketa e Rezistencës Sociale, konsumi i popullatës u rrit me rreth 9%!

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se konsumi final i popullatës në tremujorin e dytë që përbën rreth 70% të PBB-së në vend, u rrit me 8.95%.

Sigurisht që konsumi i popullatës është reflektim i politikave që qeveria ka ndjekur në tremujorin e dytë. Ne vendosëm të subvencionojmë të gjitha kategoritë e rrezikuara nga norma e rritjes së çmimeve me diferencën e rritjes së çmimeve, me qëllim që konsumi të mbahej në nivele të larta.

Ndryshe nga konsumi i popullatës, konsumi i administratës publike rezultoi me rënie. Ministrja Ibrahimaj tha se “ky tregues reflektoi politikat e qeverisë, e cila vendosi të shkurtojë ato shpenzime që nuk ishin prioritare dhe që mund të spostoheshin për vitin e ardhshëm”. Ndërkohë, shtoi se “investimet në tremujorin e dytë të vitit shënuan rënie me 6.69%, duke reflektuar ngadalësimin e sektorit të ndërtimit”. Sipas saj, “eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 9%, ndërsa importet e kësaj kategorie me 17.6%”.

Ibrahimaj u shpreh:

Investimet e huaja në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti ishin 634 milion euro, me rritje prej 8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përsa i përket investimeve është e rëndësishme të shikojmë normat e kreditimit që na japin një informacion mbi nivelin e investimeve dhe zhvillimit ekonomik për periudhën në vijim. Përgjatë vitit 2022 ne shikojmë normë rritje të kreditimit në nivel dyshifror. Në muajin gusht arriti në nivelin 12.6%, ndërsa depozitat u rritën me 7.5%.

Ministrja u ndal dhe te statistikat e tregut të punës, për të cilat tha se “flasin për një stabilitet dhe ecuri pozitive të ekonomisë”.

Norma e papunësisë në tremujorin e dytë të vitit shënoi 11.1%, duke u ulur si në krahasim me një vit më parë, edhe në krahasim me tremujorin e parë të këtij viti dhe është nën nivelin e 2019-ës, si vit para krize.

Ibrahimaj theksoi më tej se statistikat e shkallës së papunësisë janë të shoqëruara me rritje të punësimit dhe pagës mesatare.