Aktualitet Rajoni

Paketë garancie 2.4 miliardë euro për investimet në vendet në proces zgjerimi të BE-së!

Fondi Europian për Zhvillim të Qëndrueshëm plus (EFSD+) miratoi një paketë prej 24 programesh garancie, për të mbështetur investimet në vendet fqinje e në proces zgjerimi të Bashkimit Europian. Garancitë e reja me vlerë 2.4 miliardë euro, pritet të gjenerojnë rreth 17 miliardë euro investime në sektorët prioritarë. Këtu përfshihen energjia e rinovueshme, lidhjet digjitale e konkurrueshmeria në sektorin privat, në kuadër të Planeve Ekonomike dhe Investimeve. Eurokomisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi:

Me ndihmën e këtyre garancive të reja prej 2.4 miliardë eurosh, ne do të jemi në gjendje të gjenerojmë rreth 17 miliardë euro investime në sektorët prioritarë, duke përfshirë energjinë e rinovueshme, lidhjen digjitale dhe konkurrencën e sektorit privat, sipas Planeve Ekonomike dhe Investimeve. Këto investime do të jenë kritike për të kontribuar në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës e përmirësimin e jetës së qytetarëve në vendet tona partnere.

Pasi të nënshkruhen marrëveshjet e garancisë ndërmjet BE-së dhe gjithsej 11 institucioneve financiare europiane e ndërkombëtare si BEI, BERZH dhe bankat kombëtare të zhvillimit, këto subjekte do të kenë tre vjet kohë për të gjeneruar investime në fusha si konkurrueshmëria e sektorit privat dhe agjenda e inovacionit për Ballkanin Perëndimor; lidhja e Detit të Zi në fqinjësinë Lindore; tranzicioni energjetik e siguria në fqinjësinë jugore.

Po ashtu, garancia e BE-së pritet të rrisë financimin e bankave për ndërmarrjet e vogla e të mesme, si dhe të rrisë emetimin e bonove të gjelbra në vendet partnere të BE-së.

EFSD+, krahu financiar nën Instrumentin e Fqinjësisë, Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të BE-së (NDICI) – Global Europe, ofron garanci për të zbutur rrezikun për investimet në përputhje me prioritetet e BE-së në vendet tona partnere.

EFSD+ mbështet investimet publike e private në vendet partnere në mbarë botën për të promovuar krijimin e denjë të vendeve të punës, forcuar infrastrukturën publike dhe private, për të nxitur energjinë e rinovueshme dhe bujqësi të qëndrueshme e për të mbështetur ekonominë digjitale.