Rajoni

Palmer: Marrëveshja Kosovë-Serbi çështje urgjente!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë të një rëndësie të veçantë arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu deklaroi sot Përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Diplomati amerikan shprehet se Uashingtoni përkrah procesin e dialogut të drejtuar nga Bashkimi Evropian ndërsa bëri thirrje që të dy palët të vazhdojnë negociatat së shpejti.

Koha nuk është në anën tonë. Sa më gjatë që presim, do të bëhet edhe më e vështirë dhe gjithë sfidat përpara do të bëhen edhe më të komplikuara. Ne qartë ua kemi thënë partnerëve tanë në Beograd dhe Prishtinë. Është obligim i të dyja palëve që të implementojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe një gjë e tillë duhet të ndodhë.

Megjithatë Palmer thotë se Kosova duhet të merret me politikën e jashtme dhe të bashkëpunojë me partnerët.

Kosova mund të marrë pjesë në dialog në një mënyrë konstruktive duke punuar edhe në reformat e brendshme. Nuk shohë ndonjë kontradiktë në mes të këtyre prioriteteve.

Palmer foli edhe rreth asaj nëse Serbia duhet të vendosë Ambasadën në Jerusalem. Ai ka thënë se i takon Serbisë se ku do ta vendosë Ambasadën, ndërsa theksoi se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është dhe do të mbetet në Jerusalem.