Celebrities Film & Tv

“Palmer” Një rol dramatik i Justin Timberlake në një film për krizën e maskilitetit, siç e njohim ne. Kritikë

Këto vitet e fundit qasja ndaj gjinisë në perëndimin e zhvilluar është një nga debatet më të forta. Gjinia dhe seksi dy nocione që tingëllojnë të ngjashme në fakt janë kryekëput të ndryshme dhe ky është debati më aktual universal nga studiot televizive në rrjetet sociale, apo kudo ku zhvillohet debati publik i shoqërisë së sotme. Ndërsa seksi është vendosur biologjikisht, gjinia është pak më tepër e komplikuar dhe lidhet shumë me ndjesinë. Pa dashur t’i hymë një shpjegimi të gjatë e të komplikuar të një teme e cila mbi të gjitha kërkon durim e mirëkuptim, kriza e maskilizmit është një nga temat e filmit më të fundit të Justin Timberlake, një ish i dënuar të cilit i duhet të kujdeset për një djalë që ka një qasje të ndryshme ndaj jetës në krahasim me bashkë-moshatarët e tij kur vjen puna tek sjellja, pamja e tij e jashtme apo zgjedhjet që bën.

Fillimisht një vezë e zierë e prishur, Palmer, (Justin Timberlake), zbutet e më pas thyhet në dramën e zbehtë me emrin e personazhit të saj kryesor. Një prodhim i Apple TV+, historia nis me rikthimin e tij në qytetin e lindjes, periferia e Luizianës, mbas 12 vitesh burg. Jeta e tij merr një kthesë komplet të papritur kur i duhet të kujdeset për djalin e një komshieje që vuan nga abuzimit me drogat, një vogëlush i cili është shumë i lënë mbas dore nga mamaja e tij, por me një karakter të butë për të cilin Palmer bën shpejt vend në zemrën e tij të lënduar, ku zhgënjimi nuk i lë vend dashurisë. Vogëlushi Sam është shumë i lidhur me anën e tij femërore, ai luan me kukulla, lyen buzët me të kuqin e gjyshes së Palmer (aty Sam shkon herë pas here kur e ëma është totalisht nën efektin e drogërave, ose kur largohet pa lajmëruar me dashnorin e saj abuzues), kërkon të vishet si një Zanë ose si princeshë në festën e Halloween-it e të tjera si këto. Për Palmer-in kjo është e vështirë për t’u përtypur, si një macho që është – ai e sheh se si Sam bullizohet në shkollë – dhe i vjen keq për vështirësitë që djaloshi do të ketë duke u rritur në një shoqëri që nuk di si të sillet me djem të tillë, për të thënë më të paktën.

Historia, edhe pse aktuale, është një lloj formule aspak joshëse… një shabllon që zgjat thuajse 2 orë (nëse llogarit edhe titrat).  Është në fakt këndvështrimi i regjisorit i cili i rëndon filmit më shumë se çdo gjë. Nëse filmi do të anonte nga historia e Sam-it, gjërat mund të ishin ndryshe. Regjisori Fisher Stevens, ndërkaq ndjek nga afër të kundërtën e Sam-it, Palmer-in, i cili i ndrydh ndjenjat, duke sulmuar çfarëdo apo këdo që e bëjë të ndjejë, duke njëkohësisht kontribuar në bërjen e filmit apatik për shikuesin.  Skenari gjithashtu nuk i bën nder personazheve femërore, të cilat janë klishé rraskapitëse për t’u parë. (Si në rastin e enës empatike, me emocione plastike dhe interesa dashurore ndaj protagonistit – Alisha Wainwright).

E zhgënjimi vazhdon deri në fund, një lidhje patetike e Sam-it me të jashtmen e Palmer-it.

Unë jam ndryshe, kjo është e sigurt

–       përgjigjet Sam, i akuzuar nga Palmer si i çuditshëm.

Përqafimi mes të dyve të shkakton bezdi, bezdia e një melodrame mashkullore totalisht prozaike…

…sepse jo çdo gjë që në letër mund të tingëllojë e mirë, përkthehet mirë në imazh, dhe jo çdo gjë që fluturon haet.