Aktualitet

Pamje shqetësuese nga një lokal në Lezhë, reagon policia!

Një video misterioze nga një lokal i paidentifikuar në Lezhë po bën xhiron e rrjeteve sociale. Nga pamjet e kamerave të dërguara në “Ti Raporton” në Top Channel, duket se brenda një lokali-bilardo, ku po qëndronin katër djem, futen brenda tre persona të armatosur e të maskuar që iu kërkojnë të pranishmëve kartat e identitetit.  Më pas u larguan.

Sipas policisë, rezultoi se ngjarja ndodhi një javë më parë, në lokalin në pronësi të shtetasit A.K., në fshatin Zejmen. Shtetasit që shfaqen në video, dyshohet se kanë pasur konflikt me pronarin, i cili nuk ka qenë prezent.

Në vijim të veprimeve, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve: A.K., 25 vjeç, banues në Zejmen, pronari i lokalit, F.B., 26 vjeç, M.V., 29 vjeç dhe I.A., 34 vjeç, banues në fshatin Pllanë, Lezhë, të cilët ndodheshin klientë në lokal, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, kryer në bashkëpunim.

Mësohet se në Policinë e Lezhës nuk ka pasur asnjë denoncim në lidhje me rastin.

Ndërkaq, një reagim pati nga opozita. Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, në një postim në rrjetet sociale, shkruan:

Vrasjet mafioze, grabitjet me armë si ajo e raportuar dje, dhuna e çdo forme po shpërfaqet në çdo cep të territorit ndërkohë institucionet ligjzbatuese në rastin më të mirë janë inekzistente, në rastin e keq drejtohen dhe komandohen nga bandat! Asnjë masë, asnjë reagim, dorëzim i plotë i territorit në kontroll të bandave dhe sot justifikimi i turpshëm i Ramës se ngjarje te tilla ndodhin dhe ne kemi gjendje te kriminalitetit mesatar!!! Kur vjedh zgjedhjet me bandat detyrohet dhe të behet zëdhënës i tyre.