Bota

Pamje të rënda/ Sulmoi me thikë kalimtarët dhe patrullën, policët tentojnë fillimisht ta shtypin me makinë dhe më pas e vrasin.

Një burrë sulmoi me thikë kalimtarët në Oslo këtë të martë përpara se të vritej brenda një ndërtese nga policia norvegjeze.

Mediat lokale publikuan pamjet e burrit, pa këmishë dhe me armë në dorë. Policia tha se kishte “më shumë se një” person të goditur me thikë, por nuk dha informacione të mëtejshme për gjendjen e tyre.

Sipas zëdhënësit të policisë, Torgeir Brenden, pati “disa të shtëna me armë zjarri” nga agjentët kundër sulmuesit. Autori më pas u dërgua me urgjencë në spital, ku humbi jetën menjëherë pas mbërritjes.

Tre persona u plagosën, duke përfshirë një oficer në gjendje të lehtë. “Një patrullë ishte afër” vendit të sulmit, ndaj dhe ata arritën ta ndalonin, tha shefi i policisë, Torgeir Brenden i cituar nga mediat norvegjeze.

“Në fillim oficerët tentuan ta godasin kur ai tentoi të godiste me thikë një person”, por “makina e policisë u përplas me një mur dhe pikërisht në këtë moment agjentët u sulmuan nga autori”.

Policia fillimisht ka përjashtuar motivin terrorist në sulmin me thikë në Oslo për momentin, edhe pse po ndjek të gjitha pistat. Por sipas disa dëshmitarëve, sulmuesi ka bërtitur “Allahu Akbar” gjatë sulmit, ndonëse janë deklarata jo zyrtare që duhen verifikuar.

Sipas gazetës norvegjeze “Verdens Gangè”, sulmuesi dyshohet se është një rus rreth të tridhjetave, i cili u dënua me trajtim psikiatrik në dhjetor 2020 pas një sulmi me thikë të kryer një vit më parë, gjithashtu në Oslo.

Videot e dëshmitarëve të publikuara në mediat sociale tregojnë të dyshuarin pa këmishë dhe të armatosur me një thikë të madhe.

Më 14 tetor në Norvegji, në Kongsberg, në juglindje të Oslos, një burrë i armatosur me një hark dhe shigjetë vrau 5 persona.