Aktualitet Lajmet e fundit

Panairi i Librit, Virgjil Muçi, “Autori më i Mirë”!

Panairi i Librit 2021, shkrimtari Virgjil Muçi vlerësohet me çmimin e autorit më të mirë për vëllimin me tregime “Fajin ma ka gjuha”. Një ditë para mbylljes së edicionit të 24-rt që çeli siparin më 17 nëntor, sot u ndanë të tjera vlerësime. Për këtë vit, çmimi i përkthimit më të mirë i shkoi Flavia Kabës, me përkthimin e vëllimit me tregime “Qyteti i avullit” nga Carlos Ruiz Zafon. Autori i rëndësishëm i letërsisë spanjolle, u nda nga jeta vetëm 2 vite më parë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dha çmimin si autori më i mirë shqiptar i vitit 2021, shkrimtarit Virgjil Muçi.

Shumë faleminderit të gjithëve atyre që janë investuar në një nga industritë më sfiduese, industria e librit, e përkthimit, dijes, e gjërave të mençura dhe gjërave të bukura. Në një kontekst si yni është realisht një nga sfidat më të mëdha. Përtej këtij momenti, që është momenti më kulmor duke qenë që jemi në mes të panairit dhe e gjithë vëmendja është për ta, ajo që do vlerësoja është që për të gjithë ata që janë të përkushtuar në këtë kauzë do doja ta kishim çdo ditë të vitit me të njëjtin zell dhe pasion.

Kreu i bashkisë tha se kjo është hera e dytë që bashkia e Tiranës është sponsore gjenerale e Panairit të Librit, ndërsa theksoi se vitin e ardhshëm, vitin kur Tirana do jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë do ketë një edicion special kushtuar shkrimtarëve të rinj shqiptarë.

Është e vërtetë që ne jemi për herë të dytë sponsorë gjeneralë të Panairit. Nuk është sekret, unë dhe Petriti kemi pasur një debat të gjatë në vitet e mia të para në bashki, sepse në mendimin tim nuk do duhej që bota letrare të ishte mimikë, apo imitim i botës politike dhe më vjen mirë që për 2 vite kemi pasur një unifikim të këtij komuniteti, siç i ka hije. Jam shumë krenar për këtë. Do të vazhdojmë vitin tjetër, sigurisht edhe me një buxhet më të madh. Çdo vit kemi ardhur në rritje, kështu që dua që vitin tjetër duke qenë se Tirana do jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë të kemi dhe një edicion të veçantë për letrarët e rinj dhe një premium për të vlerësuar më të mirin.

Kryetari i bashkisë u shpreh se vëmendja e bashkisë së Tiranës kundrejt librit me shtimin e modernizimin e bibliotekave ka bërë që të rritet dhe interesi kryesisht i të rinjve drejt tyre. Kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që bashkia e Tiranës ka dhënë për kulturën dhe për librin në veçanti.

Dua të falënderoj Kryetarin e bashkisë për fjalët e mira për premtimet dhe ftesën për bashkëpunim të cilën ne e përqafojmë. Viti që kaloi ishte shumë i vështirë dhe ne bëmë një panair digjital, një gjë e bukur vitin e shkuar mes atij pesimizmi nga ata që besuan. Ishte Bashkia e Tiranës që besoi tek ne dhe ne bëmë një panair të veçantë ashtu siç e bëri Frankfurti dhe Gjeneva, qytete të rëndësishme të librit.