Bota

Pandemia COVID-19 ngadalësohet në nivel global!

Java që po lëmë pas po shoqërohet me ngadalësim të përhapjes së COVID-it në botë. Me mbi 450 mijë raste ditore infektimesh, shënohet rënie me 11% krahasuar me javën e mëparshme. Kemi të bëjmë me një prirje të konstatuar që në fillim të shtatorit. Referuar përllogaritjeve të fundit, nga shumica e rajoneve në botë, raportohet përmirësim i situatës epidemiologjike:

Në Amerikën Latine dhe Karaibe -31%, në Lindjen e Mesme -21%, Azia -15% e në SHBA/Kanada -10%. E qëndrueshme vlerësohet gjendja në Afrikë -1% e në Europë, ndonëse me rritje të lehtë prej 3%. Ndërkaq, është përkeqësuar disi në Oqeani +11%.

Në nivel vendesh, Lituania po përballet me shifra në rritje të infektimeve, që çdo 24 orë janë shtuar me 62% ndërsa Rumania, me numër rekord pacientësh të shtruar në spitalet COVID. Përkeqësim ka edhe në Korenë e Jugut, Ukrainë e Singapor.

Rëniet e infektimeve:

Në anën tjetër, rëniet më të forta të infektimeve me koronavirus konstatohen në Japoni, Marok, Sri Lanka, Indonezi e Izrael.

Sa i përket vendit më të goditur në botë nga pandemia, nuk ka supriza, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të numërojnë shifrat më të larta të të prekurve e viktimave. Në Amerikë, mbi 700 mijë vetë nuk e fituan dot betejën me koronavirusin, 100 mijë më shumë në tre muaj. Në nivel global, vdekjet nga pandemia janë mbi 5 milion.

Vaksinimi anti-COVID:

Vendet e vaksinuara më shpejt këtë javë janë kryesisht në Amerikën Latine, Azi dhe Oqeani. Për të tretën javë radhazi, Kuba ka normën më të shpejtë ndërmjet shteteve me mbi një milion banorë, duke administruar doza në 2.16% të popullsisë së saj, çdo ditë. Kuba, me Korenë e Jugut dhe Tajvanin, plotësojnë treshen e parë. Më shumë se 26 milion doza vaksinash kundër COVID-19 janë injektuar mesatarisht çdo 24 orë në botë, gjatë shtatë ditëve të fundit.