Bota

Pandemia e lufta në Ukrainë, OBSH konstaton rritje të problemeve të shëndetit mendor në Europë!

Organizata Botërore e Shëndetësisë e sheh Europën në një moment të rëndësishëm në luftën kundër problemeve të shëndetit mendor, përballë pandemisë së koronavirusit dhe luftës në Ukrainë. Hans Kluge, drejtori i OBSH-së për Europën:

Rajoni ynë po kalon trazira dhe ndryshime të mëdha. Pandemia ka ekspozuar shëndetin mendor, ndërsa konflikti i armatosur në Ukrainë po ndikon në mirëqenien mendore të miliona njerëzve. Dhjetë javë luftë në Ukrainë lanë pasiguri, dhimbje dhe humbje të patregueshme.

Kluge organizoi takimin e parë paneuropian, që synon të nxisë veprimin në të gjitha nivelet për të shqyrtuar nevojat e neglizhuara të shëndetit mendor në të gjithë Europën. Koalicioni u prezantua në shtator 2021 dhe përbëhet nga 53 shtete anëtare në rajonin e OBSH-së në Europë, së bashku me organizata ndërkombëtare joqeveritare, ekspertë dhe njerëz me probleme të shëndetit mendor. Sipas OBSH-së, më shumë se 150 milion njerëz në rajon jetuan me probleme të shëndetit mendor në vitin 2021.

Vetëm një në tre persona në depresion merr aktualisht ndihmën që i nevojitet. Problemet e shëndetit mendor prekin të gjitha grupmoshat dhe të gjitha shtresat shoqërore.

Pekini ka vendosur të zgjasë kohëzgjatjen e masave kufizuese kundër koronavirusit. Fillimisht, ato zgjasnin deri në mbyllje të festimeve të 1 Majit, që përkon me ditën e sotme, por u vendos shtyrje.

Kryeqyteti kinez regjistroi sot 52 infektime të tjera, duke shmangur deri tani një izolim të rreptë si ai i vendosur një muaj më parë në Shangai, për të ndaluar përhapjen e variantit Omicron. Ndër masat ende në fuqi, janë ato për mbylljen e palestrave, teatrove dhe ambienteve të tjera të argëtimit, si dhe kufizimin në 50% të kapacitetit për muzetë dhe parqet, së bashku me restorantet, që funksionojnë gjithmonë vetëm në modalitetin e dorëzimit dhe dërgesave në vendbanim.

Qarku i Chaoyang, më i prekuri nga vala e infeksioneve, nga nesër do të duhet të zbatojë urdhërin për punën nga shtëpia, ndërsa shkollat ​​do të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri më 11 maj. Si masë për të parandaluar koronavirusin, kryeqyteti kinez Pekin ka mbyllur rreth 10 për qind të stacioneve të tij të metrosë. Autoritetet sqarojnë se vendimi për mbylljen e 40 stacioneve, që kryesisht gjenden në qendër të qytetit, është në kuadër të masave për kontrollin e epidemisë. Por, nuk japin ndonjë datë se kur do të rihapen.