Aktualitet

Pandemia ‘frenoi’ dëshirat e shqiptarëve! Njihuni me të dhënat e INSTAT!

Për shkak të pandemisë, shpenzimet e shqiptarëve u reduktuan ndjeshëm. Sipas INSTAT, një pjesë e njerëzve punuan online dhe si rrjedhojë nuk kishin çfarë të shpenzonin jashtë, ndërsa rreth 50 mijë të tjerë dolën të papunë në tremujorin e dytë. Të dhënat tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit, konsumi final i popullatës u reduktua me 7.57%, praktikisht 210 milionë euro të shpenzuara pak për kafe e restorante, veshje, udhëtime argëtime, apo dhe produkte e shërbime të tjera.

Kjo është tkurrja më e lartë në të paktën 5 vjet. Që nga viti 2015, konsumi kishte ardhur në rritje të vazhdueshme. Të dhënat e tjera të INSTAT për tregtinë me pakicë treguan se sektorët që panë rënin më të lartë të konsumit ishin veshjet dhe këpucët, indeksi i vlerës ra me 88%. U ulën dhe shpenzimet për karburante (-48% në prill), artikujt e tjerë jo ushqimorë (-31%).  Të vetmet që ishin me rritje, ose me rënie minimale ishin shpenzimet për ushqimet bazë, si dhe ato për pajisjet kompjuterike për shkak të kalimit të punës në online.

Ekonomia shqiptare u tkurr me 10.2%, duke shënuar tkurrjen më të lartë që nga 1997-a. Sektori më i goditur ishte tregtia, transporti, shërbimi ushqimor që ka humbur rreth 150 milionë euro, për shkak të mungesës së udhëtimeve, anulimit të prenotimeve të turistëve, mosfrekuentimeve të bareve e restoranteve dhe përqendrimit të konsumatorëve vetëm te blerja e produkteve të domosdoshme.

Një pjesë e madhe e kësaj humbjeje është e parikuperueshme, pasi turistët që nuk erdhën në 2020 nuk do të vijnë 2 herë në 2021, apo njësoj dhe ata që nuk frekuentuan baret e restorantet. Në total, humbjet e ekonomisë në tremujorin e dytë të vitit, llogariten në rreth 59 miliardë lekë, ose gati 500 milionë euro. Sektori i dytë më i goditur është industria, me humbje gati 100 milionë euro, nga të cilat industria përpunuese rreth 40 milionë euro.